I përfshirë në rrëmbimin e Jan Prengës, arrestohet shqiptari me 3 identitete në Spanjë

Autoritetet spanjolle kanë vënë në pranga Gentjan Funiqi, alias Gentjan Martini, alias Festim Olomani, i cili ka urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës.

Gentjan Funiqi (Doçaj) akuzohet se së bashku me Dritan Rexhepin kanë urdhëruar rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në Kamëz, ngjarje e ndodhur në 17 Janar të vitit 2020.

Ne momentin e kapjes  është prezantuar  si shtetas bullgar me dokumente të falsifikuara me emër  Rayko Ivanov dhe kishte edhe lëndë narkotike me vete.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet, brenda 24 orëve të fundit, një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni policor i koduar “Seville” u zhvillua nga Policia spanjolle, në bashkëpunim me Policinë shqiptare.

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, mes Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja në Spanjë dhe arrestimi me qëllim ekstradimi, i një shtetasi shqiptar shumë të kërkuar, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime kundër personit.

I shumëkërkuari qarkullonte në Spanjë, me dokumente të falsifikuara.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në bashkëpunim me homologët, falë punës hetimore të kryer nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale, me homologët spanjollë, në kuadër të operacionit “Seville”, u kap nga Policia spanjolle dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi, shtetasi i shumëkërkuar G. F. alias G. M. alias F. O., 40 vjeç, nga Shkodra.

Ky shtetas, në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R. I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.

Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2020, në Kamzë, Tiranë, ka marrë peng shtetasin J. P.

Interpol Tirana po punon për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë./albeu.com


Shtuar 30.11.2022 20:49