I ndihmonte policia lokale? Çfarë dyshon AMP për makinën e mbushur me kanabis në Fier dhe 6 mijë rrënjët

Të tjera detaje kanë dalë nga operacioni anti-drogë i zhvilluar në fshatin Mujalli të qytetit të Fierit.

Sipas burimeve për abcnews.al, policia ka gjetur edhe një makinë tip “Mercedes Benz” disa kilometra më tej, e cila dyshohet se është përdorur nga persona që kishin lidhje me një parcelë të madhe me kanabis në këtë zonë.

Gjithashtu bëhet më dije se policia është sinjalizuar për praninë e kësaj makine misterioze në zonë, e cila dyshohet se është përdorur nga ata që i shërbenin parcelës së madhe me kanabis, e cila dyshohet të jetë e përbërë prej rreth 6 mijë rrënjësh, të mbjella mes rreshtave të misrit.

Ky është një numër i madh rrënjësh kanabisi të zbuluara në Fier dhe siç bëjnë me dije burimet, operacionit është realizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore (AMC), e cila më parë quhej SHÇBA. Paraprakisht dyshohet se ndërhyrje është bërë nga AMP pasi kishte të dhëna se kultivuesit mbroheshin nga policia lokale.

Nuk dihet ende se përse i është dashur AMP-së të ndërhyjë në këtë operacion dhe pse nuk ka ndërhyrë policia e Fierit, ndërsa gjatë orëve në vijim pritet një reagim edhe nga krerët e Policisë së Shtetit./albeu.com/