Ish bosi i kriptomonedhave, Faruk Ozer u ekstradua sot drejt Turqisë. Faruk Ozer u kap në 30 gusht të vitit të kaluar pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrimin me kriptomonedhat ndaj disa shtetasve turk.
Bosi turk i kriptomonedhave, që u arrestua në Elbasan, kërkohej prej rreth 4 muajsh në vendin tonë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Turqia pasi akuzohet për mashtrim në vlerën e 2 miliardë dollarëve me kriptomonedhën virtuale “Thodex”.
Faruk Fatih Ozer është konsideruar si një prej mashtruesve më të mëdhenj të historisë, që zhvati rreth 350 mijë investitorë, pjesa më e madhe të të cilëve ishin nga Turqia me kriptovaluta dhe platformën “Thodex”. Ozer ishte themeluesi i kriptovalutës “Thodex”, e cila shpalli falimentin një vit me parë, duke shkaktuar një dëm prej rreth 2 miliardë dollarë.
Faruk Fatih Ozer është vënë nën hetim në prill të vitit 2021, pasi Kryeprokurori Publik i Anadollit njoftoi se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre në platformën të quajtur “Thodex”.
Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke. Ozer dyshohet se lëvizte gjithmonë me një hard disk me vlerën e 108 milion dollarëve.
Në vitin 2017, Faruk Fatih Ozer themeloi kompaninë “Thodex” nëpërmje të të cilës investitorë të ndryshëm virtual kishin llogaritë e tyre dhe me të cilat, blenin dhe shesin kriptovaluta. Në THODEX ishin gjithsej 400 mijë llogari dhe 391 mijë investitorë aktivë, duke pasur një vëllim mujor transaksioni prej 100 miliardë lira, afërsisht 12 miliardë dollarë.
Mediat turke e kanë cilësuar si Faruk Fatih Ozer si personin që ka kryer mashtrimin më të madhe në historinë e Turqisë me vlerë 2 miliardë dollarë. Në prill të vitit 2021, Faruk Fatih Ozer është raportuar se është filmuar në Shqipëri.
Interpol Tirana
Ekstradohet drejt Turqisë, i shumëkërkuari ndërkombëtarisht, për mashtrim të 391 000 qytetarëve, nëpërmjet kriptomonedhave, mashtrim me dëm ekonomik 2 miliard dollarë.
Ky shtetas u kap më datë 30 gusht 2022, në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania, DVP Vlorë dhe Interpol Tiranën.
29-vjeçari turk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Lartë e Stambollit në vitin 2021, kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Mëngjesin e sotëm, specialistët e Interpol Tiranë, ata të Forcës Elitë RENEA dhe shërbimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, shoqëruan në Rinas dhe i dorëzuan homologëve të Interpol Ankarasë, shtetasin F. O., 29 vjeç, me qëllim ekstradimin e tij drejt Turqisë.
Shtetasi F. O. ishte i shumëkërkuar ndërkombëtarisht, pasi akuzohet se nëpërmjet platformës së shkëmbimit të kriptomonedhave, ka mashtruar rreth 391 000 anëtarë të kësaj platforme dhe ka përfituar rreth 2 miliard dollarë. Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Lartë e Stambollit në vitin 2021, ka lëshuar urdhër arresti, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Si rezultat i bashkepunimit të Interpol Tiranës me Interpol Ankaranë, u bë i mundur arrestimi i shtetasit F. O., në Shqipëri, në kuadër të operacionit “Brain”, dhe më pas finalizimi i procedurave me ekstradimin e tij drejt Turqisë./albeu.com/