Hyrja në Xhaminë e Et’hem Beut me pagesë? Reagon stafi i objektit të kultit

Pas lajmit të djeshëm se KMSH kishte bërë me pagesë hyrjen në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, ka ardhur reagimi nga stafi i objektit të kultit.

Në reagimin e tij sqarohet se bileta është një koordinim i Myftinisë në bashkëpunim me operatorët turistikë për vizitorët e huaj.

Por sipas stafit, askush nuk detyrohet ta paguajë pasi është kontribut vullnetar i mirëpritur nga çdokush.

Stafi në reagimin e tij e ka quajtur praktikë të njohur botërisht mbledhjen e vlerës monetare për hyrjen dhe ka shpjegiar se shuma që mblidhet shkon në mirëmbajtje të xhamisë.

SQARIMI

“Sqarim për besimtarët dhe opinionin publik

Në rrjetet sociale dhe në disa media po qarkullon kjo biletë, e lëshuar nga Myftinia Tiranë, përkatësisht stafi drejtues i Xhamisë Et’hem Beu.

Sqarojmë si më poshtë vijon:

1-Besimtarët dhe gjithë qytetarët shqiptarë, që duan të vizitojnë Xhaminë Et’hem Beu mund ta vizitojnë atë lirisht, të kryejnë adhurime dhe të sodisin bukuritë e saj të rralla siç kanë bërë për shekuj.

2-Bileta në fjalë është një iniciativë e myftinisë në koordinim me operatorët turistikë, që zhvillojnë guida me turistët e huaj në kryeqytetin tonë. Ajo nuk është detyrim dhe nuk pengon vizitën në xhami. Asnjë turist nuk detyrohet ta paguajë atë, është thjesht kontribut vulnetar, gjë e cila është mirëpritur nga çdokush.

3-Duke qenë se kjo është një praktikë e njohur botërisht, Myftinia Tiranë ndërmori këtë nismë për të shërbyer si ndihmë modeste për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Xhamisë të saporestauruar të Ethem Beut.

4-Duke marrë përgjegjësinë për moskoordinimin, njoftimin dhe sqarimin e detajuar rreth kësaj çështjeje, hedhim poshtë çdo keqinterpretim, manipulim dhe shpifje të stisur pasditen e sotme.

Ndërkohë nisma në fjalë s’ka të bëjë aspak me besimtarët, që vinë të falen në xhami. Xhamia Et’hem Beu ka qenë gjithmonë dhe është e hapur pa pagesë për të gjithë besimtarët dhe qytetarët.

Me respektin maksimal, Stafi i Xhamisë Et’hem beu”/albeu.com/