Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, reagoi pas diskutimeve të zhvilluara sot në Parlamentin Europian, duke i interpretuar qëndrimet e eurodeputetëve si kritikë të drejtpërdrejtë ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Këlliçi veçoi deklaratat e kreut të Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, duke thënë se ato përbëjnë një goditje ndaj kryeministrit, qeverisë së tij dhe propagandës së saj.
Të lidhura
None found
Sipas deputetit demokrat, gjatë debatit u evidentuan korrupsioni, padrejtësitë, arroganca dhe brutaliteti policor si shkaqe që kanë nxitur revoltën dhe protestat në Shqipëri.
Ai hodhi poshtë edhe versionin e kryeministrit Rama për përfshirjen e agjentëve të huaj, lëvizjes Antifa apo organizatorëve dhe puçistëve të brendshëm në protestat, duke e cilësuar këtë narrativë si propagandë qeveritare.
“Janë aferat e tij, korrupsioni në çdo sektor dhe inkriminimi që e kanë futur Shqipërinë në krizë”, shprehet Këlliçi.
Deputeti i PD-së pretendon se nga Brukseli është përcjellë një mesazh i qartë se largimi i Ramës është i nevojshëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në përfundim, Këlliçi deklaron se Parlamenti Europian e ka njohur realitetin e protestave në vend dhe ka propozuar si zgjidhje krijimin e një qeverie teknike, e ndjekur nga zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.







