Hill për situatën në Kosovë: Po shqyrtohen hapa të mëtejmë

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se përshkallëzimi i dhunës në Banjskë të Zveçanit është “një ngjarje tragjike” dhe se po shqyrtohen hapa të mëtejmë.

“Ne të gjithë duhet të dënojmë vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe gjithmonë na vjen keq për humbjen e jetës, por duhet të vazhdojmë me procesin politik”, tha Hill më 26 shtator në Beograd, transmeton agjencia Beta.

Ai theksoi se procesi diplomatik duhet të “forcohet” në ditët dhe javët në vijim.

Hill mori pjesë të takimin e përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të delegacionit të Bashkimit Evropian me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, diplomati amerikan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se për çfarë është biseduar me presidentin e Serbisë.

Vuçiq më herët shkroi në Instagram se gjatë takimit me diplomatët ndërkombëtarë kishte kërkuar që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, “KFOR të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës”.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe – më 24 shtator.

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Edhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, sipas autoriteteve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.

Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës. /REL


Shtuar 26.09.2023 15:44