Oficerët e sektorit të Antidrogës në Policinë e Shtetit, nuk janë lejuar të hyjnë në ambjentet e skanimit të kontinjerëve në portin e Durrësit gjatë hetimeve për kapjen e 119 kg kokainë në kontnjerin me banane të ardhur nga Ekuadori.
Oficerët ishin dërguar në 30 dhjetor 2021 për të kryer veprime në ambjentet e skanerit, paralelisht me veprimet që po kryenin kolegët e tyre në zonën e Vaqarrit në Tiranë, por nuk janë lejuar.
Drejtuesit e kompanisë së skanerit kanë kërkuar që policët të tregonin autorizim nga prokuroria për të kryer veprime, procedurë që është realizuar disa orë më vonë.
Ngarkesa prej 119 kg kokainë mësohet se i përket një grupi të fuqishëm kriminal në Tiranë i cili vepron me bazë prodhimi në Ekuador dhe trafikimin në disa vende të Europës, përfshirë dhe Shqipërinë.
Prokuroria e Tiranës ka thirrur gjithë personelin e skanimit të kontenjerëve që kanë qenë në detyrë në datën 28 dhjetor 2021, pasi nuk kanë dalluar asgjë të dyshimtë.
Skaneri dhe punonjësit nuk kanë arritur të dallojnë asnjë nga 7 kutitë e mbushura me kokainë.
Për rrjedhojë ngarkesa kaloi pa shqetësime në port dhe më pas kontenjeri u transportua me kamion drejt Tiranës për tu kapur në Vaqarr vetëm pasi administratori njoftoi krerët e policisë për një tentativë grabitje të ngarkesës.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se brenda kontenjerit mungojnë 106 kuti, të cilat besohet se janë hequr në Itali dhe Shqipëri.
Hetimet tashmë janë fokusuar në operatorët e vëzhgimit në skanerin e Durrësit.
Çështja në fjalë pritet ti kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme SPAK, pasi Prokuroria e Tiranës, në ditët në vijim pritet të shpallë moskompetencën./Ora News