Haradinaj: Kam besuar se Kurti dhe VV ishin zgjidhje e duhur, por jam zhgënjyer deri në palcë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar në profilin e tij në facebook, duke thënë se ka qenë ndër të rrallët që kishte menduar se Kosova ka nevojë për rotacion pushteti. Ai ka potencuar se ka besuar që Kurti dhe Vetëvendosje do të ishin zgjidhje e duhur, megjithatë sot shton se është i zhgënjyer “deri në palcë” me qeverisjen Kurti II, raporton Express.

Kreu i AAK-së ka pyetur se “si nuk e kryen një punë të hajrit për një vit e sa që janë në qeveri!?”.

Ish-kryeministri ka përmendur ligjin e pagave, duke thënë se bllokimi i tij është vjedhje ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e punëtorëve të tjerë.

Ai tutje ka përemndur edhe shkallë e lartë të inflacionit, duke potencuar se Qeveria Kurti s’ka bërë asgjë për ta vendosur nën kontroll situatën.

Reagimi i plotë:

Kam qenë ndër të rrallët në mos i vetmi që kam folur hapur se Kosova kishte nevojë për rotacion të pushtetit. Kam besuar se Albin Kurti dhe Vetëvendosje do të ishin zgjidhje e duhur, por sot jam i zgjënjyer deri në palcë me qeverisjen e tyre!

Po si nuk e kryen një punë të hajrit për një vit e sa që janë në qeveri!?

Si e bllokuan ligjin e pagave, që nuk është tjetër pos hajni ordinere ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve, punëtorëve…

Me ligjin e ri të pagave të miratuar nga qeveria ime, të cilin e ka bllokuar Albin Kurti, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1200 euro. Sot e ka 703 euro. Kjo i bjen që Qeveria Kurti, e ka dëmtuar secilin prej tyre nga 6045 euro për vit.  Natyrisht pa e kalkuluar inflacionin vjetor prej 14.1 %, i cili do të duhej të ishte harmonizuar me rritjen vjetore të pagave. Ngjashëm është edhe më të gjitha kategoritë tjera të të punësuarve, një numër jo i vogël i të cilëve tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit.

Nuk ka asnjë shpjegim logjik, se pse kjo Qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbajtjen, sado kudo nën kontroll, të rritjes enorme të çmimeve.  Qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve. Nga punët e Qeverisë Kurti, kanë mbetur vetëm deklaratat qesharake të eksponentëve të saj, se “pagat në Kosovë janë rritur më shumë se sa çmimet”. Kam dashur shumë që kjo qeveri të ketë sukses, por ajo sot është shndërruar në qeverinë më antipopullore që ka pasur Kosova ndonjëherë./express


Shtuar 13.07.2022 17:34