Një 30-vjeçar nga Gramshi, i dënuar më herët nga gjykata me shërbim prove, kujtoi se sistemi do ta harronte nëse thyente vendimin dhe largohej nga vendi. Por, nuk ka ndodhur kështu, ai është arrestuar menjëherë pas rikthimit nga Gjermania në Rinas dhe është dënuar tashmë me katër vite burg.
Policia bën me dije se i riu ishte dënuar më herët na Gjykata e Elbasanit me një masë të lehtë, siç ishte shërbimi i provës, por i riu nuk e ka marrë në konsideratë këtë dhe është larguar nga Shqipëria pa mbaruar dënimin.
Pasi ndenji disa vjet në Gjermani, ai ka vendosur të rikthehet duke menduar se masa ishte shuar, por ishte gabim. Pasi ka zbritur në Rinas, të riut i janë vënë prangat dhe është dërguar në paraburgim, ndërsa gjykata tashmë e ka dënuar me katër vite burg.
Njoftimi i policisë:
Elbasan
Nuk zbatoi vendimin e gjykatës për të kryer shërbimin provë, por u largua në Gjermani, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ndryshon vendimin dhe e dënon përsëri me 4 vjet burgim.
Vihet në pranga 30-vjeçari në momentin e mbërritjes në Rinas, i kthyer deportiv nga Policia gjermane.
Në aeroportin e Rinasit, Tiranë, shërbimet e Policisë Rinas, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan, gjatë përpunimit të të dhënave të personave të kthyer deportiv, falë intervistimit të thelluar kanë identifikuar dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar:
-Klevis Agolli, 30 vjeç, banues në lagjen “Sporti”, Gramsh, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, me vendimin e datës 26.07.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Për këtë vepër penale ky shtetas ishte lënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan në shërbim provë.
30-vjeçari nuk ka përmbushur detyrimin e caktuar dhe është larguar për në Gjermani, për pasojë Gjykata ka revokuar vendimin për shërbimin provë dhe ka ricaktuar për këtë shtetas dënimin me 4 vjet burgim.
Gjithashtu, ky shtetas ka kryer një vjedhje në Gjermani, për të cilën ka vuajtur dënimin në Gjermani sipas përcaktimeve të Kodit Penal gjerman.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.