Një trup i pajetë është gjetur në ujërat e lumit Vardar, në zonën paralel me kazermën “Erebinë” në Zhelinë të Tetovës.
Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se ka gjasa që trupi i pajetë të jetë kufoma e djalit 22 vjeçar nga Kumanova, megjithëse asgjë nuk është e konfirmuar plotësisht.
“Kufoma e gjetur është e gjinisë mashkull. Pritet që me urdhër të Prokurorit trupi të nxirret nga uji dhe pas identifikimit bashkë me familjarët, Prokurori të vendosë nëse do të kryhet autopsi apo jo”, tha për TV21 zëdhënësi i SPB-Tetovë Fatmir Rexhepi.
Kujtojmë se para 5 ditësh një 22-vjeçar nga Kumanova ra me makinë të tipit “Golf4” në lumin Vardar, në zonën e Zhelinës në Tetovë.
Kur makina u nxor nga uji, nuk u gjet askush në të. Pas kësaj vijuan kërkimet në të cilat përveç organeve kompetente u angazhuan edhe familjarë dhe banorë të zonës./albeu.com/