Gati 8 vite në pushtet, Rama zbulon kujt i kërkon ndjesë: Gabova në Kukës!

Kryeministri Edi Rama gjatë një inteviste të dhënë ditën e sotme në News 24 ka zbuluar kujt i kërkon falje publike në dy mandate që po qeveris Shqipërinë.

Rama deklaroi se nga dy mandate në krye të qeverisë, u kërkon falje kuksianëve për taksën prej  5 eurosh të vendosur në fillim për Rrugën e Kombit.

Kjo taksë u pasua me protesta të dhunshme në rrugën e Kombit dhe bënë që qeveria të dorëzohet dhe të tërhiqej.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Kancelarja gjermane kërkoi ndjesë publike për një vendim jo popullor për mbylljen në prag të festës së pashkëve? Po ju, a ka diçka për të cilën kërkoni ndjesë?

Rama: Unë kam kërkuar ndjesë. Kam kërkuar ndjesë për rastin e Kukësit, sepse u ndërtua një strategji e gabuar. Pavarësisht se nuk isha unë që i kisha bërë llogaritë, kuptova që njerëzit kishin të drejtë dhe kërkova ndjesë. Ndjesa është pjesë e pandashme e një procesi udhëheqjeje kur lidershipi ka karakter.