Gara brenda PD-së në Kukës, tërhiqet kandidati që ishte përballë Gjicit

Kandidati Admir Sinamati që garoi për koalicionin “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Kukësit por që u mund nga Safet Gjici nuk do të garojë sërish në 24 shtator.

Lajmin e ka dhënë vet Sinamati përmes një postimi në rrjetet sociale. Vendimin Sinamati thotë se ja ka bërë të ditur edhe Sali Berishës. Ai pak kohë më parë u shpreh i gatshëm për të kandiduar, por nuk dihet arsyeja e tërheqjes.

I gjendur në këto kushte kur tashmë edhe pala kundërshtare ka hedh “në ring” një kandidat që ndryshon shumë nga ai i pari, kur situata aktuale është tejet më pozitive dhe favorizuese për opozitën e veçanërisht në Kukës, kur për fat të mirë edhe nga radhët e demokratëve tashmë kemi një numër të madh kandidatësh optimistë për përfshirje në kandidim dhe besimin në fitore, kur një realitet i ri politik po don me marrë formë( bashkim lokal me poseduesit e vulës së PD), disa arsye të tjera personale si dhe për shkak të botkuptimit tim politik, unë jam i bindur se opozita në Kukës dhe PD nuk do të ndjejë aspak moskandidimin tim”, shkruan ai.

Arif Rexhmati, Uran Cengu, Gëzim Shehu dhe Emri Vata do të jenë kandidatët që do të diskutohen në mbledhjen e Kryesisë që pritet të mbahet ditën e sotme. Socialistët do të fusin në garë prefektin e qarkut, Albert Halilaj.

 


Shtuar 23.08.2023 13:56