Gafa e deputetit, Hajredin Pasha ishte hero i dibranëve: Merr “flakë” Facebook-u i tij

Deputeti i PS Toni Gogu ka bërë një postim të çuditshëm pak më parë në Facebook duke e shpallur Hajredin Pashën, hero të dibranëve. Duke postuar këngën e famshme mbi betejen e Gjoricës të popullit të Dibrës dhe Matit kundër forcave pushtuese osmane, Gogu shkruan se Hajredin Pasha ishte hero i këtyre trevave.

Një postim i tillë ka ngjallur jo pak reagime në rrjetet sociale nga banorë të zonës duke bërë Gogu të ndryshonte tekstin, por nuk i ka shpëtuar një screen shoti duke fiksuar kështu një gabim të tillë të një deputeti të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Kush ishte Hajredin Pasha?

Hajredin Pasha është një komandant Osman, i cili ishte ngarkuar ndër të tjerë me shtypjen e kryengritjes së shqiptarëve në vitet 1843-1844.

Kryengritja shpërtheu në të gjitha trevat shqiptare në Kosovë, ato që gjenden sot në Maqedoninë e Veriut dhe në veri të Shqipërisë kundër reformave të reja të imponuara nga Perandoria Osmane. Këta të fundit e shtypën me forcë këtë kryengritje, ndërsa dibranët dhe matjanët luftuan heroikisht me burra dhe gra në luginën e Drinit duke i shkaktuar humbje të mëdha forcave osmane.

Në fund kryengritja u shtyp, por pavarësisht kësaj, Porta e Lartë vendosi që për 50 vite të mos i merrte nizamë të rinjtë e kësaj zone.

Kënga i kushtohet pikërisht kësaj beteje. /AlbEu.com


Shtuar 18.03.2023 20:53