Ministri Federal i Drejtësisë Marco Buschmann nuk ka asnjë dyshim për pushtimin rus të Ukrainës: “Mënyra me të cilën Rusia po e zhvillon këtë luftë është kriminale,” tha ai në nisje të takimit të ministrave të drejtësisë të G7 në Berlin. G7 përfshin shtatë ekonomitë më të forta demokratike në botë: Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe SHBA-në.
50.000 raste të dokumentuara me krime lufte
Së bashku me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Ukrainën, shtatë vendet duan të ndjekin penalisht krimet e dyshuara të luftës ruse që nga sulmi i 24 shkurtit 2022 në vendin fqinj. Sipas Buschmann, rreth 50.000 raste janë dokumentuar vetëm në Ukrainë. Janë rreth 600 të dyshuar dhe ndaj 200 autorëve të dyshuar janë duke u zhvilluar procedurat penale. “Kjo tregon se sa e madhe është sfida për të marrë masa ndaj këtyre krimeve”, thotë ministri nga partia liberale gjermane (FDP).
Buschmann akuzon Rusinë për sulme ushtarake kundër popullatës civile “që synojnë ekspozimin e njerëzve pa ngrohje, pa energji elektrike në një dimër, gjatë të cilit temperatura mund të arrijë në minus 30 gradë”. Ai thotë se kundër kësaj padrejtësie duhet të merren masa.
Ky është edhe qëndrimi i kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, edhe ai i ftuar në takimin e ministrave të drejtësisë të G7. Përgjegjësia dhe transparenca janë të nevojshme në mbarë botën, duke përfshirë Ukrainën, “për të siguruar respektimin e të drejtave themelore të njeriut.”
Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi për mizoritë e tyre
Prokurorja e Përgjithshme Victoria Prentis nga Britania e Madhe tha se “dëgjuam se si sulmi i Rusisë ndau familjet, shkatërroi planet për të ardhmen dhe krijoi një terren pjellor për të traumatizuarit.” Prandaj është e qartë se një qasje e unifikuar e vendeve të G7 është shumë e rëndësishme “që autorët të vihen përpara përgjegjësisë për mizoritë e tyre”.
Komisioneri i Drejtësisë i Bashkimit Evropian (BE), Didier Reynders, theksoi edhe rëndësinë e sanksioneve kundër oligarkëve rusë: Deri më tani janë ngrirë pasuri në vlerën prej 18.9 miliardë euro. Këto para do të tentohen të konfiskohen për t’ia dhënë Ukrainës për rindërtimin e vendit.
Gjermania dhe Franca po bashkohen
Komisioneri i BE-së mund të llogarisë në mbështetjen e ministrit gjerman të Drejtësisë Marco Buschmann dhe homologut të tij francez Éric Dupond-Moretti. Në një artikull të përbashkët për portalin “Legal Tribune Online”, të dy bëjnë thirrje për masa europiane që shkojnë përtej përgjegjësive kombëtare për edhe për çështjen e sanksioneve.
Shkeljet e sanksioneve jo vetëm që duhet të ndëshkohen, por edhe të ndiqen. “Prandaj jemi pro zgjerimit të kompetencës së Prokurorisë Publike Evropiane për të përfshirë shkeljet e masave kufizuese nga Bashkimi Evropian”, shkruan dyshja franko-gjermane. Nga Komisioni Evropian ata kërkojnë që së shpejti të paraqesë propozimet e duhura.
I dyshuar për krime lufte: Vladimir Putin
Në një “Deklaratë të Berlinit”, ministrat e drejtësisë të G7 “dënojnë fuqishëm” luftën e agresionit kundër Ukrainës të urdhëruar nga Vladimir Putin. Lista e akuzave është e gjatë: vrasja dhe plagosja e civilëve dhe të burgosurve të luftës, zhdukja e fëmijëve, sulmet sistematike në infrastrukturën kritike, dëmtimi i gjerë i punonjësve dhe objekteve shëndetësore dhe dhuna seksuale.
“Federata Ruse po shkel hapur ligjin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e përbashkët përfundimtare. Ministri gjerman i Drejtësisë Marco Buschmann shpreson që takimi i parë i G7 i ministrave të drejtësisë të këtij lloji do të japë një shtysë të fortë për ndjekjen penale të krimeve të luftës. Ministrat duan të sigurojnë prova edhe më të mira dhe të sigurta “në mënyrë që përgjigja jonë ndaj këtyre krimeve të luftës të përmbushë standardet tona dhe t’i sjellje autorët e dyshuar para drejtësisë.”
Parimet e G7: demokracia, humanizmi, e drejta ndërkombëtare
Nga Berlini dërgohet kështu një sinjal politik: Shtetet e G7 janë ekonomikisht të forta, “por edhe një komunitet vlerash që ndihet i përkushtuar ndaj parimeve të demokracisë liberale, parimeve të njerëzimit, ligjit ndërkombëtar, të drejtave të patjetërsueshme të njeriut”. Kjo përfshin edhe respektimin e ligjin ndërkombëtar të luftës dhe ligjit ndërkombëtar penal. “Krimet e luftës nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar. Pavarësisht se kush i ka kryer dhe pa marrë parasysh se ku janë kryer.”
Qëndrimi i qeverisë federale është që të punojë sa më shumë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, thekson Marco Buschmann. Ekziston një unitet i madh brenda G7 që edhe udhëheqja ruse duhet të ndiqet penalisht. Megjithatë, ka kufizime për autoritetet kombëtare të hetimit, për shembull në lidhje me krerët e shteteve. Nga kjo po përfiton edhe presidenti rus Vladimir Putin.
“Ne do të përgatitemi mirë”
Megjithatë, këto kufizime nuk do të zbatohen për Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse ministri gjerman i Drejtësisë është për hetimin e të gjithë udhëheqjes ruse për krime kundër njerëzimit. Përpunimi ligjor i mizorive në Ukrainë do të marrë vite, ndoshta edhe dekada. “Por ne do të jemi të përgatitur mirë.”
Të njëjtën gjë shpreson edhe Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Koston, i cili ishte në Berlin me Ministrin e Drejtësisë së vendit të tij, Denys Maliuska. “Çdo ditë ushtarët tanë dhe të gjithë njerëzit në Ukrainë luftojnë për të mbrojtur sovranitetin e tyre,” tha Koston pas diskutimeve të përbashkëta me ministrat e drejtësisë të G7. Dhe ai shton: “Ne po luftojmë edhe për drejtësi – për të gjitha viktimat e pushtimit rus”./DW