Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj sëbashkëshu me Ministren e Kulturës, Elva Margariti, kanë zhvilluar ditën e enjte një takim me artistët e kryeqytetit.
Gjat këtij takimi Veliaj renditi disa nga investimet e kryera nga Bashkia e Tiranës për artin dhe kulturën në kryeqytet, duke filluar nga Amfiteatri i ri e deri te KombinArt, lagjja e re në Kombinat, ku do të ketë disa ndërtesa ekskluzive për instalacione, skulpturë dhe pikturë.
“Kemi futur një traditë shumë të mirë në shkolla, të cilat i pajisim edhe me një sallë koncertore, siç rasti sallës ‘Tonin Arapi’ te Liceu, apo ‘Avni Mula’ te shkolla ‘Servete Maçi’, ose te shkolla ‘Lasgush Poradeci’ në Kombinat. Po mundohemi të mbjellim këtë lloj akupunkture artistike në qytet. Kemi edhe kinemanë ‘Maks Velo’, e cila përdoret edhe nga kundërshtarët tanë për takime. Po bëjmë një ndërhyrje shumë të madhe në Kinostudio dhe sapo morëm mbrapsht kinema ‘Agimin’ nga privati, e cila do të hapet së shpejti. Jemi duke punuar me një kompani prestigjioze për zonën e artistëve te Komuna e Parisit, po ashtu po punojmë për ‘KombinArt-in’; pra, të kemi disa ndërtesa ekskluzive për instalacione, skulpturë dhe picture. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe tek lagja e re ‘5 Maji’”, tha Veliaj.
Mandej, ai foli edhe për disa investime të tjera që do të vendosen në Bulevardin e Ri të Tiranës. Veliaj tha se është gjetur zgjidhja për punimet te Teatri i Ri, kur tha se për hyrjen e makinerive të mëdha do të përdoret hapësira te ish-Drejtoria e Burgjeve, mes Ministrisë së Transporteve dhe Torre Drinit, në mënyrë që Pedonalja të vazhdojë normalisht.
“Gara e parë që hapëm për Bulevardin e Ri ishte për Pallatin e Ri të Koncerteve sepse ajo që kemi është ezauruar si hapësirë. Ka mbërritur dita që opozita bën fushatë me luftë ndaj Amerikës, luftë me pemët dhe me artistët, çka do të thotë se shumicën e gjërave i kemi rregulluar në atë farë feje, sa tani jemi duke diskutuar për bindjen e Noizy-t dhe Rita Orës. Në anën tjetër të Bulevardit të Ri është përcaktuar hapësira për një muze të artit modern. Edhe Teatri i Kukullave do të jetë një tjetër hapësirë e restauruar”, tha Veliaj.