Flamur Noka i pergjigjet Bashës: Kuvendi do të mblidhet për largimin e kryetarit ilegjitim, jo për vendimin e SHBA

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet, do apo nuk do Lulzim Basha.

Noka shtoi se Kuvendi do të shqyrtoj çështjen e largimit të Bashës dhe nuk do të diskutojë vendimet e SHBA-ve.

Kjo deklaratë e tij ishte si një kundërpërgjigje ndaj kreut të opozitës, pas deklaratave të këtij të fundit ditën e djeshme se nuk do të mbledhë kurrë Kuvend që shqyrton vendimet e SHBA-së.

“Kuvendi do të mblidhet, dhe jo për të shqyrtuar vendime të SHBA-ve, por do të mblidhet kundër Bashës. Kundër kryetarit të PD që tashmë është në minorancë, ilegjitim dhe nuk përfaqëson shumicën në PD. Është gjithçka një proces, askush në Republikën e Shqipërisë nuk mund ta ndalojë vullnetin e anëtarëve të PD.”

I pyetur nga gazetarët nëse ka pasur kërcënime nga ana e kreut të partisë tek anëtarët e PD që të mos marrin pjesë në takimet e Sali Berishës, Noka pohoi se ka pasur shantazhe. Sipas tij, ka organizime për të mos i hapur dyert për Berishën dhe për t’i sabotuar takimet.

“Ka disa ditë që ka filluar një tur takimesh me drejtues të degëve duke u bërë shantazh për të mos hapur dyert për Berishën, për t’i sabotuar takimet …”

Dihet se Flamur Noka ka dalë hapur me mbeshtetjen e tij ndaj ish-kryeministrit Berisha, duke marrë pjesë edhe në takimet që ky i fundit ka zhvilluar nëpër rrethe./albeu.com


Shtuar 23.09.2021 13:00