Flakët në pallatin te “Farmacia 10”, Prokuroria e Tiranës merr në pyetje pesë fëmijë

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë të mitur, të cilët nga këqyrja e kamerave të sigurisë shfaqen duke hedhur mbeturina në një karrocë, e konsideruar si vatra e zjarrit që përfshiu një pallat shumëkatësh në kryeqytet.

Të miturit, banorë të kompleksit ku ndodhi ngjarja, janë pyetur në prani të psikologëve dhe prindërve. Sipas dëshmive të tyre, veprimet nuk kanë qenë të qëllimshme.

Të lidhura

None found

Ata kanë deklaruar se pranë një kondicioneri ndodhej një karrocë me mbeturina dhe një objekt i djegshëm, pa e kuptuar rrezikun që mund të shkaktonin.

Ndërkohë, burime nga hetimi bëjnë me dije se prokurori i çështjes ka urdhëruar kryerjen e veprimeve të tjera hetimore në vendngjarje, si dhe marrjen në pyetje të personave të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Ekspertiza shkencore për shkaqet e plota të zjarrit ende nuk ka përfunduar.

Nga ana tjetër, bazuar në referimin e Policisë, janë proceduar katër shtetas; Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna – të dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri.

Për katër të dyshuarit, Gjykata Penale, ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë e zjarrit që shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë.


Shtuar 24.04.2026 10:04