Shpenzimet kapitale nga buxheti i shtetit, ishin vetëm 5,2 miliardë lekë, rreth 53 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2026. Ky ishte niveli më i ulët për të njëjtën periudhe në 17 vite që nga 2009-ta, teksa një seri dosjesh në hetim nga SPAK si, koncesionet PPP, inceneratorët, rrugët (ARRSH) dhe AKSH-i, etj kanë zbuluar se në shumë raste i gjithë fondi i dhënë për tu investuar në shërbime ose mallra është abuzuar tërësisht.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, ndërsa nevoja për infrastrukturë është në rritje për shkak edhe të kritereve të integrimit në anën tjetër aftësia e shtetit për të realizuar investime kapitale ka rënë në nivele alarmante, duke u lidhur drejtpërdrejt me skandalet e mëdha korruptive që kanë përfshirë institucionet kryesore shqiptare që janë mandatuar për të t`u kujdesur për infrastrukturën kritike të vendit.
Të lidhura
None found
Grafiku i shpenzimeve kapitale për tremujorët e parë tregon një epokë të artë të investimeve rreth viteve 2012-2013, ku shifrat kapërcyen 65 miliardë lekë, për të pasuar më pas me një rënie drastike që nuk u rikuperua kurrë.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kjo pikiatë nuk po vjen nga mungesa e parave në arkën e shtetit, pasi përkundrazi fondi i investimeve është shumëfishuar në krahasim me para 10 viteve, por e sistemit problematik.
Është krijuar një praktikë ku fondi i investimeve publike alokohet në pjesën më të madhe të tij në muajin dhjetor, teksa hetimet kanë zbuluar se fondet përpara se të shndërrohen në asete konkrete për qytetarët humbasin.
Hetimet kanë zbuluar skemat e abuzimit me tenderat e ARRSH-së, ku kostoja për kilometër fryhet artificialisht dhe kontratat u jepen kompanive pa kapacitete, duke bërë që projektet të zvarriten me dekada.
Ndërkohë që miliarda euro dalin nga buxheti i shtetit, ato nuk përkthehen në investime kapitale të prekshme.
Në rastin e inceneratorëve, paratë që duhej të shkonin për ndërtimin e infrastrukturës së mbetjeve, rezultuan se u devijuan përmes kompanive guackë, duke lënë pas objekte që nuk funksionojnë ose që ekzistojnë vetëm në letra.
Të dhënat mbi rolin e investimeve publike janë edhe më alarmante kur analizohet dosja e fundit e AKSH-it, ku qindra miliona euro janë shpërdoruar në projekte dhe kompani fiktive, teksa sistemet e E-albania në rastin më të mirë nuk punojnë dhe të dhënat sensitive janë hakeruar më shumë se njëherë.
Këtë vit fondi i investimeve publike është planifikuar në 162, 3 miliardë lekë rreth 1,7 miliardë euro, nga të cilat gjatë 3-muajve të parë janë shpenzuar vetëm 5,2 miliardë lekë ose vetëm 3,2 për qind e planit vjetor.
Shuma e alokuar në tremujorin e parë ishte 47 për qind më e ulët se plani i periudhës dhe 36 për qind më pak se fakti i vitit të kaluar./Monitor
