Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit që njihet si “Brdo-Brijumi” në Slloveni.
Osmani tha se Bashkimi Evropian ende s’e ka përmbushur premtimin e saj ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave.
“Por ndërsa secila nga vendet tona vazhdon të bëjë pjesën e vet të punës, Bashkimi Evropian duhet të duhet ta kryej detyrimin e vet. Dhe në rastin e Republikës së Kosovës, ajo ende nuk e ka mbajtur premtimin e saj të vonuar për t’u dhënë qytetarëve tanë liberalizimin e vizave. Ndërsa e ka përmbushur këtë premtim për shumë vende, përfshirë edhe ato në Lindjen e Largët dhe Amerikën Latine, këtë nuk e ka bërë për ne”, tha Osmani.
Fjalimi i plotë i Presidentes Vjosa Osmani:
Të nderuar Presidentë Pahor dhe Milanoviq,
Të nderuar Shkëlqesi,
Dua të filloj duke falënderuar mikpritësit tanë të sotëm për lehtësimin e këtij takimi të presidentëve në rajon në një kohë kaq të paprecedentë, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por për mbarë botën.
Por sidoqoftë, kohët si këto tregojnë nevojën absolute për bashkëpunim midis nesh, si fqinjë, në baza të barabarta dhe nevojën për reflektim dhe ndershmëri mbi mënyrën se si ne kolektivisht ecim përpara.
Të dashur kolegë,
Ky eveniment shënon 10 vjetorin e procesit Brdo-Brijuni.
Sot duhet t’i kujtojmë vetes pse e filluam këtë dhe ta përdorim si motiv për të hequr barrierat dhe pengesat dypalëshe të cilat na kanë ngadalësuar gjatë rrugës.
Ne duhet të reflektojmë për atë që është arritur, dhe në të vërtetë atë që nuk është arritur, dhe ç’është më e rëndësishmja, se si mund ta kompensojmë këtë mosarritje.
Ky moment i rëndësishëm është një përkujtues i nevojës urgjente për një bashkëpunim më të madh rajonal me qëllim përfundimtar integrimit në Bashkimin Evropian.
Me një perspektivë të qartë të BE për të gjithë, dhe angazhime të definuara mirë për bashkëpunim më të ngushtë, ne e vendosim veten në një pozitë shumë më të mirë për të mishëruar dhe implementuar vlerat themelore të Bashkimit Evropian: respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit.
Republika e Kosovës është e përkushtuar për avancimin e vlerave të BE-së dhe bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe politik në frymën e vërtetë të Procesit Brdo Brijuni.
Për më shumë se një vit rajoni ynë dhe e gjithë bota janë përballur me pandeminë vdekjeprurëse COVID-19. Ne kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve të rëndësishme në komunitetet tona, të tilla si fëmijët që kalojnë me shpejtësi në mësimin në distancë, shumë punonjës që punojnë nga shtëpia dhe firma të shumta që miratojnë modele dixhitale të biznesit për të ruajtur veprimtarinë dhe për të ruajtur rrjedhën e të ardhurave.
Pandemia ka paraqitur sfida serioze për politikë bërësit në të gjitha vendet tona, por gjithashtu ka ofruar një mundësi për nxënien e mësimeve të vlefshme.
Ekziston një pritje e qartë nga qytetarët që ekonomitë tona përkatëse duhet të arrijnë një shpërndarje më efikase dhe më të drejtë të burimeve me qëllim të rritjes së produktivitetit, rritjes ekonomike dhe punësimit. Kjo kërkon ndryshim të përqendruar në inovacion dhe sipërmarrje.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne gjithashtu kemi kuptuar që vetëm përmes veprimit të koordinuar, solidaritetit dhe multilateralizmit të institucionalizuar mund të kemi një shans për të ruajtur demokracitë tona dhe për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Dhe përderisa ne vazhdojmë të luftojmë me sfidat e paraqitura nga pandemia dhe të përqendrohemi në rimëkëmbjen ekonomike, ne kemi nevojë për veprim të guximshëm dhe udhëheqje që plotësojnë nevojat e qytetarëve tanë dhe të shoqërisë sonë kolektive, në shekullin e 21-të.