Fitoi lirinë, Zogu i Tiranës rrëfen mbi burgosjen në shtëpi: Muaj ferri, më përdorën!

Hermes Nikaj, i njohur si Zogu i Tiranës, arriti të fitojë lirinë pas një procesi të gjatë dhe të vështirë gjyqësor.

Pak ditë më parë, Gjykata vendosi të shfuqizojë masën e arrestit në shtëpi për 26-vjeçarin dhe të urdhërojë lirimin e tij, duke mbyllur çështjen që nisi në fund të vitit 2019- të, kur Hermes u ndalua në një dhomë hoteli me mikun e tij, një sipërmarrës nga Kurbini.

Se si mori fund kalvari me drejtësinë i personazhit të mëngjeseve, Hermes i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Si ndihesh tani që rifitove lirinë dhe gjëja e parë që bëre pasi u njohe me vendimin?

Hermes Nikaj: I çliruar! I çliruar nga drejtësia dhe nga ndërgjegjja. Kisha kohë që prisja të dilte në dritë e vërteta ime. Gjëja e parë që bëra përqafova nënën time, ajo ka vuajtur bashkë me mua.

Më pas festove, por ku dhe me kë?

Hermes Nikaj: Me familjen! Të vetmit që më besuan dhe nuk më braktisën në asnjë moment. Sigurisht që edhe shumë miq të mi erdhën, kolegë më telefonuan. Por festa e vërtetë është në familje, në shtëpi. Dhe për mbyllje shkova në kazino, ku më ftuan disa miq.

Si i përshkruan muajt e izolimit në shtëpi, çfarë mësove nga kjo eksperiencë e vështirë për një djalë që ishte mësuar të ishte në qendër të vëmendjes?

Hermes Nikaj: Muaj ferri do të thosha. Një njeri aq social sa unë, aq energjik dhe alegro e kishte shumë të vështirë t’u përshtatej kushteve të reja. Ndieja që më zihej fryma ndonjëherë! Kam pasur probleme me stresin, ankthin, frymëmarrjen, doja të zgjohesha nga ajo ëndërr e keqe. Mësova që jeta të përplas me gjithçka. Njeriu përjeton gjëra që as nuk i ka imagjinuar, por mbi të gjitha mësova që i drejti zhytet, por nuk mbytet.

Pate momente dobësie dhe si punove me veten për t’í tejkaluar të gjitha këto?

Hermes Nikaj: Sigurisht që po. Pata shumë momente dobësie. Të demoralizon më shumë fakti i mosdaljes në pah e së vërtetës. Më vriste ideja që ndjekësit e mi, të cilët më kanë mbështetur prej vitesh, të mendonin negativisht për mua. Më inkurajoi familja dhe vetja. I jepja kurajë vetes duke thënë DURIM, do të dalë në dritë e vërteta.

Ke ndonjë lidhje që e mbajte në distancë gjatë izolimit, apo do shohësh tani e tutje për dashurinë?

Hermes Nikaj: Partnere jo, ose ‘one night stand’ me saktë. Flirtime kam patur, por kam kaluar kohën. Mikesha më kanë vizituar edhe në shtëpi. Të shijoj lirinë njëherë, pastaj të shohim aspektin e dashurisë. Dashuria është gjithmonë e mirëpritur.

Lirimi yt përkon me përgatitjet për sezonin e ri televiziv. Çfarë planesh ke për rikthimin, ku dhe si mund të të shohim në ekran?

Hermes Nikaj: Oferta të ndryshme kam pasur. Unë e di veten dhe bagazhin tim. Nëse i rikthehem televizionit, do të jetë një format që do t’u japë njerëzve adrenalinë dhe të qeshura. Unë atë lloj gazetarie bëj. Dua t’u fal lumturi të tjerëve. Për momentin po studioj mundësitë e ofruara, akoma nuk kam vendosur diçka konkrete.

Ke ideuar diçka të veçantë për veten në televizion këto kohë, çfarë mendon se do të përshtatej vërtet?

Hermes Nikaj: Mua më përshtaten emisionet alegro, komike, pa skaletë dhe jashtë kornizave. Aty e gjej veten dhe aty më preferon publiku. Ide kam shumë, por duhen parë shumë gjëra. Kushtet, kontrata, lloji i formatit etj.

Tani që e kuptove vlerën e lirisë, për çfarë do bësh kujdes në vazhdim?

Hermes Nikaj: Nga miqtë falso sigurisht. Duke qenë se jam njeri i mirë vetë, i kam menduar të gjithë si vetja, por nuk është ashtu. Të tjerët janë munduar dhe kanë përfituar nga mirësia ime, imazhi im, impakti im, njohjet e mija. Jam ndjerë i përdorur.

Pas asaj që ndodhi, miqtë të qëndruan më afër apo t’u larguan dhe cilët janë miqtë apo mikeshat që kanë mbetur?

Hermes Nikaj: Këtë të mirë ka koha, që i tregon fytyrat e vërteta të njerëzve. Ata falsot u zhdukën, besoj u mbytën në ligësinë e tyre, ndërsa të vërtetët qëndruan, më mbështetën, më dhanë kurajo dhe u kujtuan për mua.

Duke qenë se të pëlqen luksi, çfarë do bësh në jetë për të pasur në çdo kohë atë që dëshiron?

Hermes Nikaj: Jeta është e shtrenjtë dhe na jepet vetëm njëherë, ndaj pse mos ta jetojmë mirë?! Si çdo njeri do të punoj për të arritur ëndrrat e mia! Nuk kam frikë të marr rrisqe dhe jam natyrë që nuk dorëzohem. Zoti më ka bekuar me oratori dhe imazh, ato janë arma ime për një jetë të mirë! /panorama

 


Shtuar 1.08.2021 19:22