Fero rrezikon 5 vite burg, akuza që nxorri reperin para Gjykatës

Reperi i njohur Fero ka dalë sot para trupi gjykues pasi së bashku me Mehmet Elshani dhe Avdullah Islami janë përfshirë në një sherr në vitin 2018. Fero akuzohet për “kanosje me përdorim të mjetit të rrezikshëm”, kurse Shabani për “armëmbajtje pa leje”, raporton “Betimi për Drejtësi”. Seanca u shty për në 8 shtator në orën 13:30 pasi Elshani nuk është paraqitur. Prezent në sallën e gjykimit ishin prokurori Bashkim Zeqa, të akuzuarit Feronit Shabani(Fero) dhe Avdullah Islami, si dhe avokati i këtij të fundit Nazim Mehmeti.

Sipas aktakuzës, Mehmet Elshani, më 22 mars 2018, rreth orës 13:15, në rrugën “Iliaz Kodra” në Prishtinë, me dashje ka përdorur dhunë ndaj Lorent Bajrami. Teksa Bajrami po kërkonte vendparkim për makinën e tij, të dy fillimisht kishin debatuar me fjalë pastaj i pandehuri ka dalë nga makina e tij dhe ka përdorur forcën fizike ndaj tij. Elshani akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 187, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se në kohën edhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë, kur i pandehuri Elshani ka qenë duke e sulmuar Lorent Bajrami, i pandehuri Avdullah Islami i kishte drejtuar në kokë një mjet të metaltë të rrezikshëm, duke i thënë që të largohej nga aty. Islami akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” me përdorim të mjetit të rrezikshëm, nga neni 185, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze thuhet se në kohën dhe vendin e njëjtë të përmendur më lartë, i pandehuri Feronit Shabani ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një Elektroshok me bateri të firmës TW-801TYPE, në shkelje të ligjit lidhur me armët e tilla. Reperi akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.


Shtuar 22.06.2021 12:25

Tags: , ,