Fati i keq që ndjek liderët e të rinjve të PD, tre kryetarë radhazi që humbin jetën në moshë të re

Mesditën e djeshme, një lajm i papritur tronditj  jo vetëm selinë blu, por të gjithë vendin. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, humbi jetën në moshën 44-vjeçare, ku shkak dyshohet një arrest kardiak.

Ditën e sotme, Partia Demokratike, e ka shpallur ditë zie, teksa ka ulur flamujt në gjysmë shtizë dhe ka anuluar aktivitetet në të gjithë vendin.

Gerti Bogdani, do të përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit, ku do të prehet në varrezat e Sharrës, teksa Kuvendi i Shqipërisë po mban homazhe në nderim të tij.

Ai ka qenë për dy legjislatura deputet nga viti 2009 deri në vitin 2017, teksa ka mbajtur edhe postin e kreut të Forumit Rinor të Partisë Demokratike gjatë viteve 2009-2015.

Por, Gerti Bogdani, nuk është i vetmi kryetar i FRPD-së që humb jetën në moshë të re.

Para tij, përgjatë viteve 2002-2009 postin e kreut të FRPD e ka mbajtur Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në moshën 41-vjeçare më 20 nëntor të vitit 2013, pasi një aksidenti automobilistik në Krrabë.

Sokol Olldashi, humbi kontrollin e drejtimit të makinës për shkak të shpejtësisë së madhe dhe kthesës së pjerrët humbi kontrollin, duke u rrëzuar 20 metra poshtë në humnerë.

Ndërkohë, gjatë viteve 2000-2002, postin e kreut të FRPD-së e ka mbajtur ish-deputeti Kolin Gjoka. Ai ka humbur jetën në moshën 36-vjeçare, më 1 Shkurt të vitit 2002 pas një sëmundje të rëndë.


Shtuar 19.09.2024 11:44