Ngjarja e rëndë në Shkodër ku 39-vjeçarja Alma Arrazi, u vetëmbyt në lumin Buna bashkë me fëmijët e mitur, 9, 8 dhe 3-vjeç, ka tronditur mbarë opinionin publik.
Ditën e sotme, do t’ jepet lamtumira e fundit 9-vjeçares Ergesa Arrazi, e cila u gjet dje e pajetë në lumin Buna në Shkodër.
Sipas hetimeve të deritanishme, dyshimet janë se nëna e Ergesës, Alma Arrazi u vetëmbyt në lumë disa ditë më parë bashkë me fëmijët e mitur, 9, 8 dhe 3-vjeç.
Ndërsa trupi i njërit prej fëmijëve u gjet dje rastësisht nga një peshkatar, Mbrojtja Civile në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, vazhdon sot për të dytën ditë operacionin e kërkimit për trupin e Almës dhe dy fëmijëve të tjerë.
Por ajo që vihet re në njoftimin e vdekjes së 9-vjeçares, që është publikuar nga familja e Ergys Arrazit, është se ata kanë shpallur të vdekur dy fëmijët e tjerë edhe nusen.
Pavarësisht se trupat e tyre nuk janë gjetur, familja Arrazi i ka shpallur të vdekur.
Kërkimet për gjetjen e trupave po vijojnë në mënyrë intensive, në lumin Drin dhe Bunë.
Mbrëmjen e djeshme, ka patur shkarkime nga hidrocentrali i Vau Dejës, gjë e cila ka turbulluar ujin duke e bërë më të vështirë gjetjen e tre kufomave të tjera.
Fillimisht, u raportua se ndaj 9-vjeçares ishte ushtruar dhunë, por policia njoftoi më pas se eksperti mjeko- ligjor nuk konstatoi një gjë të tillë.
Motra e Alma Bushatit, ka akuzuar bashkëshortin e saj, Ergys Arrazin, se ushtronte dhunë ndaj saj dhe fëmijëve.
Për këtë ngjarje tragjike, në pranga përfundoi babai i tre fëmijëve Ergys Arrazi, 31-vjeç, që dyshohet se i ka shtyrë drejt vetëvrasjes bashkëshorten 39-vjeçare, Alma Bushati Arrazi, dhe fëmijët e mitur.
Në momentin që është njoftuar nga policia se vajza e tij është gjetur e mbytur në lumë, Ergys Arrazi nuk ka reaguar.
Para hetuesve, ai ka mohuar që të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij.
Ka qenë pikërisht kryefamiljari, ai që ka bërë denoncimin e parë për zhdukjen e bashkëshortes dhe fëmijëve dhe menjëherë uniformat blu janë vënë në lëvizje duke angazhuar edhe polumbarët e forcave speciale RENEA.
Arrazi ka qenë i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike, ndërsa tashmë mbi të rëndon akuza e “Shkaktimit të vetëvrasjes”.