Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për DW, foli për protestat e përditshme në Shqipëri kundër një projekti të parashikuar për turizëm luksoz që lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, si edhe për Inteligjencën Artificiale, demokracinë dhe qeverisjen.
I pyetur në “Jahrhunderthalle” për rolin që Inteligjenca Artificiale mund të ketë në mbikëqyrjen e 4 miliardë eurove që pritet të vijnë nga zhvillimet turistike në bregdet, Rama tha se nuk sheh lidhje mes këtyre dy çështjeve. Sipas tij, përmes IA-së mund të fitohet çdo ditë më shumë dije dhe të merret një ndihmë e paimagjinueshme si për informimin, ashtu edhe për këshillimin, duke shtuar se aty do të drejtohet gjithçka.
Të lidhura
None found
Sa i përket pretendimeve për një krisje të besimit ndaj “arkitekturës” së pushtetit dhe shqetësimeve të protestuesve për mungesë konsultimi publik dhe kontrolli demokratik, kreu i qeverisë tha se në Shqipëri nuk ka thyerje besimi. Ai e përshkroi situatën si një shembull të lirisë dhe të demokracisë në funksion, duke theksuar se bulevardi u përket njerëzve nga çdo shtresë që duan të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të dëgjohen. Rama shtoi se ky është një tregues i rrugës që ka bërë vendi, duke kujtuar se në të njëjtin bulevard, jo një shekull më parë, por gjatë vetë jetës sonë politike, janë vrarë njerëz gjatë protestave. Sipas tij, ky është një shembull i bukur që Shqipëria i jep botës dhe një rast shumë unik për rajonin.
Në pyetjen se çfarë tregon për Shqipërinë një e ardhme që mund të marrë formën e një resorti luksoz Trump-Kushner, Rama u shpreh se mund t’i japin leksione për shumë fusha, si ekonomia, çështjet ligjore, bujqësia apo kujdesi shëndetësor, por jo për bukurinë. Ai tha se kjo nuk lidhet thjesht me faktin që është artist, por edhe me përvojën e tij si ministër i Kulturës, kryetar bashkie dhe kryeministër, duke pohuar se të gjithë mendimin e tij e ka mbështetur pikërisht te bukuria. Sipas Ramës, transformimi i hapësirës publike dhe i zonave urbane ka qenë pjesë e pandarë e rrugëtimit të tij dhe se ardhja e 12 milionë turistëve në Shqipëri lidhet me këtë përpjekje. Ai nënvizoi se bukuria është diçka ku beson dhe për të cilën lufton, ndërsa akuzoi gazetaren për paragjykim për shkak të përmendjes së emrave.
Kur DW këmbënguli për këtë pikë, Rama kërkoi të mbaronte përgjigjen dhe tha se nuk mund të përgjigjet mbi bazën e emrave si Trump dhe Kushner. Sipas tij, pyetja “si mund të duket një projekt nga Trump dhe Kushner?” është e pakuptimtë, pasi projekti ende po zhvillohet dhe mund të diskutohet vetëm kur të jetë gati. Ai theksoi se nuk do të hyjë në diskutime për njerëz, personazhe apo beteja ideologjike, duke shtuar se këto janë beteja të të tjerëve, jo të tijat. Rama deklaroi se beteja e tij është të sjellë investime të huaja direkte në Shqipëri dhe të nxisë zhvillime që, sipas tij, do të jenë jo vetëm të shkëlqyera për vendin, por edhe një dhuratë për Europën.
Për pyetjen nëse privatizimi i hapësirës publike është një çmim që qeveria është e gatshme ta paguajë për këtë transformim, Rama e hodhi poshtë kategorikisht këtë pretendim. Ai tha se bëhet fjalë për një tjetër gënjeshtër që është përsëritur aq shpesh sa është kthyer në “fakt”, dhe theksoi se nuk ka privatizim të hapësirës publike.
Kur u pyet nëse mund të garantojë që të gjithë do të kenë qasje, Rama u përgjigj se çështja nuk është garancia, por prova. Ai tha se jetojmë në një qytetërim që prej kohës së romakëve ka vendosur një parim të thjeshtë: kush bën akuza duhet të sjellë prova. Duke iu drejtuar gazetares, ai tha se pyetja e saj mbështetet mbi një gënjeshtër dhe kërkoi t’i tregohet konkretisht ku ndodhet privatizimi apo çfarë të dhënash ekzistojnë që ngrenë shqetësimin për privatizim të tokës publike. Rama u shpreh se kjo nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhë.
Lidhur me ndryshimet e bëra në vitin 2024 në ligjet shqiptare për mbrojtjen e mjedisit, të cilat sipas DW synojnë t’i hapin rrugë turizmit të hoteleve luksoze dhe kanë shtuar shqetësimet për mungesën e konsultimit publik, Rama tha se faktet po lihen mënjanë. Ai pranoi se janë bërë ndryshime ligjore, por theksoi se thelbi i ligjit nuk është prekur dhe se këto ndryshime nuk bien ndesh me standardet dhe kriteret europiane. Sipas tij, kjo do të verifikohet përmes procesit të negociatave të Shqipërisë. Rama shtoi se paragjykimet nuk janë argumente dhe insinuatat nuk janë fakte, ndërsa theksoi se nëse ka fakte që kundërshtojnë të tijat, ato duhen paraqitur. Përndryshe, sipas tij, ai nuk mund të ndihmojë me përgjigje mbi beteja ideologjike që lidhen me Trump apo gjëra të tjera.
Në pjesën e intervistës për “zemëratën digjitale”, ku DW kujtoi termin “angerithm” të përdorur prej tij dhe përvojën që ai e quajti shumë pozitive të qeverisë me IA-në, përfshirë edhe emërimin e një ministreje që është vetë një algoritëm i Inteligjencës Artificiale, Rama tha se nuk ekziston një gjë e tillë si përdorim i mirë algoritmik. Sipas tij, algoritmit nuk i pëlqen e vërteta e mërzitshme, por gënjeshtra argëtuese; nuk i pëlqejnë nuancat, por skandali; nuk i pëlqejnë paqja dhe dashuria, por zemërimi dhe frika, sepse këto janë gjëra që tërheqin më shumë natyrën njerëzore.
Ai vijoi duke thënë se nuk i takon atij të përcaktojë si mund të zgjidhet kjo çështje në një shoqëri demokratike si Europa, por shtoi se Europa dhe bota demokratike po bëjnë një gabim që një ditë mund të kthehet në shkakun e fundit të demokracisë. Sipas Ramës, ky gabim është pranimi i lirisë së “reach” si zgjatim i lirisë së fjalës. Ai tha se liria e “reach” ose e shtrirjes nuk është liri fjale, por arma më vdekjeprurëse që diktaturat kanë pasur kundër lirisë, për të hyrë në tru dhe për të mbjellë atje të vërtetën e tyre duke shtypur çdo të vërtetë tjetër. Rama theksoi se algoritmi nuk shtyp me polici sekrete apo me gjyqtarë të kontrolluar, por përmes mbytjes dhe amplifikimit, duke përforcuar gënjeshtrat dhe duke mbytur të vërtetën. Ai shtoi se çdo studim tregon se në mediat sociale shpërblehen gënjeshtrat, ndërsa e vërteta pranohet më pak.
I pyetur për protestat që në Shqipëri kanë hyrë në muajin e dytë dhe për deklaratat e tij të mëparshme, fillimisht se e kishte konsideruar dorëheqjen dhe më pas se ajo nuk është opsion, Rama tha se nuk bëhet fjalë për dy versione të kundërta. Ai shpjegoi se në grupin parlamentar ka ndarë opinionet dhe ndjesinë e tij se është zgjedhur dhe qëndron në detyrë për t’i bërë gjërat, jo për t’u tërhequr zvarrë. Sipas tij, dorëheqja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë opsion, për një arsye shumë të thjeshtë: ai dhe Partia Socialiste janë mandatuar nga 868 mijë shqiptarë për të përmbushur misionin e mbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Rama e cilësoi këtë si një mision historik që nuk mund të lihet në mes për asnjë arsye, aq më tepër për shkak se një pjesë e qytetarëve zgjedhin të protestojnë.
Nga ana tjetër, ai tha se protesta është tejet domethënëse për Shqipërinë, për shkallën e lirisë dhe të demokracisë, si edhe për faktin që në vend protestohet. Sipas tij, njerëz nga të gjitha rrugët e jetës dalin në protestë për çështjet e tyre, ndërsa qeveria ka detyrën t’i dëgjojë dhe të lexojë çdo mesazh që ata japin, gjë që, sipas Ramës, po ndodh.
Në fund, i pyetur nëse po të mos ishte kryeministër do të dilte vetë në protestë për spitale më të mira, për ikjen e trurit që vazhdon prej vitesh, apo për një sistem dhe administratë më të mirë, të cilën ai vetë e akuzoi pak ditë më parë si përgjegjëse, Rama tha se nuk ka arsye të mendojë se do të dilte në protestë nëse do të mbështetej te faktet dhe informacioni i vërtetë. Ai shtoi se po të bazohej te manipulimet, gënjeshtrat dhe amplifikimet, atëherë patjetër që do të dilte edhe ai aty. Sipas Ramës, e vërteta dhe faktet janë ndryshe. Ai pranoi se shëndetësia, arsimi dhe fusha të tjera kanë problemet e tyre, por nënvizoi se këto probleme nuk lindën ditën që nisi protesta. Sipas tij, ato kanë qenë prej kohësh, janë vendosur në rrugën e zgjidhjes dhe janë zgjidhur pjesërisht. Ai theksoi se për të çuar përpara zgjidhjen e tyre, qeveria ka marrë mandatin e popullit shqiptar me shumicën më të madhe ndonjëherë që kur ai drejton Partinë Socialiste. Rama përfundoi duke thënë se nuk mund të ndodhë që dikush të zgjohet një ditë dhe të thotë “unë dua shëndetësi më të mirë dhe kjo qeveri duhet të ikë”, sepse, sipas tij, kështu nuk funksionon dhe duhet pritur deri në zgjedhjet e ardhshme.
