Euro 2024, sa do të fitojë Shqipëria në rast kualifikimi

Me paraqitje të jashtëzakonshme këto kualifikuese, të gjithë njëzëri mendojnë se jemi shumë pranë kualifikimit në Euro 2024 teksa matematika kërkon 1 pikë në dy ndeshje.

Jo vetëm loja e bukur dhe golat e mrekullueshëm por për më tepër që këtë herë po shkojmë drejt Gjermanisë me shifra që tregojnë qartë se Sylvinho dhe të besuarit e tij e meritojnë një biletë. Evropiani është një vitrinë shumë e madhe, prestigjioze, për lojtarët, për trajnerin Sylvinho, por dhe për vetë FSHF-n, kjo edhe në aspektin financiar.

Këtë Evropian, UEFA ka rritur me 23% shifrat e fitimeve krahasuar me “Euro2016”.

24 kombëtaret pjesëmarrëse do të sigurojnë në total 371 milionë Euro. Kualifikimi vlen 9.25 milionë Euro, shifër e konsiderueshme për një federatë të vogël si e Shqipërisë.

Bonuset konsiderohen të larta edhe në fazën e grupeve. Një fitore vlen 1.5 milionë euro, ndërsa barazimi 750 mijë euro. Nëse Shqipëria do të kalonte të paktën fazën e grupeve, kjo do të shtonte në arkën e FSHF-së edhe 2 milionë euro të tjera.


Shtuar 17.11.2023 16:59