Euractiv i ka kushtuar një shkrim situatës ekonomike në Kosovë duke e konsideruar inflacionin në shifra historike dhe rritjen e tregtisë me Serbinë.
Në artikullin e Euractiv thuhet se “sipas statistikave zyrtare, kostoja e karburantit është rritur me 9.2 përqind, perimet dhe frutat me 2 përqind, mobiljet dhe artikujt e shtëpisë me 2.5 përqind. Por rritje të ndjeshme gjithashtu kanë pësuar edhe lëndët djegëse të ngurta dhe drutë e zjarrit, të cilat u rritën në çmim me 60.2 përqind krahasuar me një vit më parë, si dhe vajrat ushqimorë me afro 50 përqind, buka me 33,5 përqind, bulmeti me 25.8 dhe mishi me 22 përqind”.
Paga mesatarë në Kosovë është rreth 500 euro në muaj, paga minimale është afërsisht gjysma e kësaj shifre dhe shumë jetojnë në kufirin e varfërisë.
“Ndërkohë, Kosova ka arritur importet e saj nga Serbia me 30 përqind në muajt e fundit, pavarësisht tensioneve mes dy vendeve për refuzimin e Beogradit për të njohur sovranitetin e Prishtinës”, shkruan Euractiv.
Ata i referohen edhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit i cili tha në Kuvend se: “në gusht të këtij viti në krahasim me gushtin e një viti më parë importet nga Shqipëria janë ulur për 10 përqind, por nga Serbia janë rritur për 30 përqind.”.
Euractiv edhe më tutje i referohet deklarimit të Hotit në Kuvendin e Kosovës lidhur me statistikat e ASK-së.
“Thellimi i deficitit tregtar, bazuar në këto të dhëna të Agjencisë së Statistikave për periudhën janar-gusht 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet janë rritur për 150 milionë, por importet janë rritur për 800 milionë, dhe kjo ka sjellë deficitin tregtar në 3 miliardë euro, që është një rritje prej 56 përqind krahasuar me një vit më parë”, tha Hoti.
Por, në këtë artikull thuhet gjithashtu se hekurudha e re mes Shqipërisë dhe Kosovës “mund t’i ndryshojë gjërat së shpejti”.
Hekurudha Durrës-Prishtinë është aktualisht në fazën e fizibilitetit që nga java e kaluar.
“Kjo linjë e re hekurudhore fillimisht do të plotësojë nevojat e transportit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe vende të tjera që janë gjithashtu të lidhura me Korridori Hekurudhor X (dhjetë) dhe Korridori Hekurudhor IV (katër), thuhet në termat e referencës për procedurën e shpallur.
Kosova në fillim të tetorit hapi zyrtarisht zyrën doganore në portin shqiptar, duke mundësuar kalimin më të lehtë të mallrave, thotë në fund artikulli i Euractiv.