Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, deklaroi se perspektiva e Prishtinës është në Bashkimin Evropian, por theksoi se hyrja në bllok kërkon reforma.
Të lidhura
None found
Pas takimeve që zhvilloi me udhëheqës politikë në Kosovë, ai shkroi në X: “Po punojmë në këtë drejtim”.
Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, Terras e nisi agjendën me një takim me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Sipas Presidencës së Kosovës, Haxhiu kërkoi që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet “pa vonesa të mëtejme”, duke nënvizuar se ecja e vendit drejt bllokut evropian duhet të matet në bazë të meritave.
“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.
Kosova e paraqiti aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, kërkesa ende nuk ka hyrë as në hapin e parë formal, që është shqyrtimi nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimi për opinion në Komisionin Evropian. Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa statusin e vendit kandidat.
Njoftimi po ashtu bëri të ditur se gjatë takimit, Haxhiu trajtoi edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe “mungesën e përgjegjësisë” për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Më 2023, një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter. Në përplasjen me armë humbën jetën edhe tre sulmues serbë.
Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe përgjegjës bën Beogradin. Serbia, ndërkaq, e mohon përfshirjen. Përgjegjësinë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ndërsa Kosova vazhdon të kërkojë nga Serbia ekstradimin e tij.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, eurodeputeti Terras zhvilloi takim edhe me ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në përkrahjen e aspiratave të Kosovës.
“Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MPJD-ja.
Në Prishtinë, Terras u takua edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Vizita e raportuesit të përhershëm për Kosovën në PE vjen pasi në mesin e muajit qershor, PE-ja miratoi rezolutën vjetore për Kosovën. Pas miratimit të saj, Terras deklaroi se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga blloku, mbeten thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës. / REL
