Escobar: SHBA-të janë një partner i fortë përkrah Maqedonisë së Veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në përpjekjet e tyre reformuese me qëllim të përshpejtimit të procesit të integrimeve evropiane, tashmë të filluara.

Këtë e theksoi zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar, ku ka folur në një konferencë me mediat kushtuar situatës në Ballkanin Perëndimor, përcjell INA.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është një partner bilateral dhe një aleat i shquar në NATO. “Qëndrimi ynë nga përvoja me Maqedoninë e Veriut është se ajo është një partner i shkëlqyer, një mik besnik dhe një mbështetës i fortë i komunitetit transatlantik. Maqedonia e Veriut me meritë filloi lëvizjen në procesin e tyre drejt Evropës. Ata bënë reforma të vështira dhe vazhdojnë të bëjnë reforma të vështira”, tha ai.

Sipas tij, SHBA mbetet një partner i fortë në inkurajimin dhe mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane dhe dialogun fqinjësor.

Duke folur në konferencën për përkatësinë historike, kulturore dhe ekonomike të maqedonasve, ai përdori mbiemrin “Maqedonasit e Veriut”.

“Maqedonasit e Veriut janë evropianë, historikisht janë evropianë, kulturalisht janë evropianë dhe ekonomikisht Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës dhe është dhe do të jetë një pjesëmarrës i rëndësishëm në sektorin e transportit, sektorin e IT, deri në sektorin e energjisë”, tha Escobar./ina


Shtuar 6.08.2022 09:24