Vendimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të implementohet, ka thënë emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online të organizuar nga Këshilli Atlantik.
Ai tha se ky është një nga obligimet në kuadër të dialogut ndërmjet Koosvës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
“Është një dispozitë ligjërisht e detyrueshme. Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, për Kosovën dhe për BE-në – dhe pikërisht për shkak se ne e mbështesim dialogun, është edhe detyrimi ynë. Pra, po, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet” ka thënë Escobar.
Ai tha se shpreson që Qeveria e Kosovës ta shohë si mundësi dhe ka theksuar se në Europë ka modele që mundësojnë të drejta kolektive për pakicat.
Escobar ka theksuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën, duke thënë se nuk ka asnjë vend në botë që e përkrah Kosovën më shumë se SHBA-ja.
“Përkushtimi ynë ndaj Kosovës, sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe sigurisë së saj është i fortë. Është një partneritet me popullin e atij vendi dhe ne nuk do t’i braktisim ata”, tha Escobar.
Escobar ka folur edhe për marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat dhe rolin e SHBA-së në procesin e negociatave.
“Unë e konsideroj të rëndësishme për uljen e tensioneve marrëveshjen e arritur nga Serbia dhe Kosova për targat javën e kaluar. Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë që në vend që të punojmë për çështje individuale që krijojnë tensione, të gjitha këto çështje duhet të jenë pjesë e dialogut të sponsorizuar nga BE-ja”, tha ai.
Kur u pyet nëse SHBA do të merrte drejtimin në atë proces, Escobar tha: “Nuk e besoj. Sepse tani, nëse shikoni historinë e angazhimit tonë në dy vitet e fundit, duke punuar me BE-në me ndërmjetësimin e tyre, ne arritëm të zgjidhnim shumë kriza dhe arritëm të parandalonim dhunën në rajon në 18 muajt e fundit”.
Escobar theksoi se beson se dialogu duhet të zhvillohet në BE, duke pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit kanë aspirata për anëtarësim në BE.
I pyetur nëse ka një afat që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për normalizim, Escobar tha se do të ishte mirë që të arrihet një marrëveshje “sa më shpejt”.
“Një konflikt i ngrirë nuk i përshtatet askujt”, tha Escobar.