Escobar: I gjithë rajoni vuan nga korrupsioni dhe bandat, në Shqipëri SPAK ka patur disa suksese

Shqipëria është një nga temat për të cilat i dërguari special i Shteteve të Bashkuara Gabriel Escobar është pyetur gjatë seancës së sotme që Senati amerikan mbajti në lidhje me rajonin.

Ka qenë senatori Tim Kine ai i cili ka pyetur zotin Escobar në lidhje me bandat dhe trafikun e drogës në Shqipëri.

Zoti Escobar u shpreh se problemi me bandat është një problem rajonal, jo vetëm i Shqipërisë, ndërsa ka vlerësuar punën e deritanishme nga SPAK.

Escobar tha se po punohet edhe me Bashkimin Europian për të forcuar këtë organ.

Tim Kine: Në udhëtimet e mia dëgjoj se ka angazhim të bandat ballkanase sidomos me fokus në Shqipëri që kryejnë trafik të lëndëve narkotike. A ka diçka në lidhje me këtë çështje?

Gabriel Escobar: Është çështje serioze. Nuk është e kufizuar vetëm në Shqipëri, të gjitha vendet në rajon vuajnë nga korrupsioni, mungesa e rendit dhe ligjit, që ndihmon një aktivitet të tillë.

Kemi bashkëpunim të mirë me vendet, një pjesë e saj është pasi kemi punuar me ta dhe i kemi fuqizuar në shkëmbimin e informatave për krime komplekse. Sidomos në Shqipëri po shohim krijimin e një organi anti-korrupsion që ka pasur disa suksese dhe po punojmë me BE për të forcuar këtë organ dhe për të krijuar mundësinë për shkëmbimin e informacioneve.


Shtuar 18.05.2023 21:09