Eralda Spahillari është 19-vjeçarja shqiptare që ndërroi jetë në mënyrë tragjike në Itali, kur makina me të cilën po udhëtonte u përplas me një pemë.
Bashkë me shqiptaren humbi jetën edhe shoqja e saj 17-vjeçare nga Italia.
Por kush është Eralda Spahillari
E reja shqiptare ëndërronte të kthehej në Shqipëri dhe të jetonte bashkë me të fejuarin e saj, Mikele Tatanin, po ashtu shqiptar. Eralda ka lindur në Greqi, familja e saj është me origjinë nga Durrësi. Ajo studionte për estetikë, profesion të cilin mendonte ta kryente në Shqipëri, ku donte të kthehej dhe të hapte biznesin e saj.
19-vjeçarja jetonte në Negrisia, një zonë në Ponte di Piave, bashkë me prindërit dhe dy vëllezërit e saj, Florianin dhe Erindin.
“Ishte një vajzë e fortë dhe shumë bujare”, është shprehur Amelia, shoqe klase me shqiptaren e cila mëngjesin e së dielës vendosi një buqetë me lule në vendin e aksidentit në Gorgo al Manticano.
Si ndodhi aksidenti
Në makinën që u aksidentua Eralda ndodhej me 3 persona të jerë. Të katër, të gjithë të rinj, ndodheshin në makinën që drejtohej nga një 19-vjeçar nga Pordenone. Për shkaqe edne të paqarta, makina ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një pemë në krahun e kundërt me drejtimin e saj të lëvizjes.
Viktimat janë Eralda Spahillari, 19-vjeçarja shqiptare por me nënshtetësi greke, banuese në Ponte di Piave dhe Barbara Brotto, 17-vjeçare nga Oderzo, e cila ka ndërruar jetë menjëherë.
I plagosur rëndë ka mbetur shoferi 19-vjeçar, i cili është dërguar në spitalin e Trevisos dhe një 18-vjeçar është transportuar në spitalin e Mestres./Albeu.com/