EMRI/ Tentoi të vidhte një shtetase në banesë duke e goditur dhe kërcënuar me thikë, arrestohet 27-vjeçari në Durrës

Policia në Durrës ka arrestuar një 27-vjeçar të identifikuar si Dorjan Tonuzi, i cili ka hyrë në banesën e një shtetasje që jetonte me qira, e ka dhunuar dhe ka tentuar ta vjedhë duke e kërcënuar dhe me thikë.

Njoftimi i policisë:

Tentoi të vidhte nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), në banesën e një shtetaseje, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë arrestohet në flagrancë autori.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale mjeti i mprehtë (thikë).

Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, pas marrjes së informacionit se në një banesë në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, një shtetas po tentonte të vidhte me dhunë, menjëherë kanë mbërritur në adresën e dhënë, ku bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. T., 27 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas, ditën e djeshme, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, pasi është futur me forcë në banesën ku jetonte me qira shtetasja M. B., e ka goditur atë me grushte dhe nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), ka tentuar të vjedhë para në shtëpinë e saj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti i mprehtë (thikë).

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”./albeu.com


Shtuar 4.08.2021 09:39