Personi që po shikoni në foto është Shenasi Loha, shqiptari që gazetari Artan Hoxha e denoncoi si të zhdukur në Ekuador.
I ftuar në studion e ‘ABC’, Hoxha publikoi foton e shqiptarit, për të cilin tha se ka humbur gjurmët që nga muaji mars i këtij viti. Ai tha se i riu është nga Ferizaj i Kosovës.
“Ky është shqiptari që u zhduk në Ekuador, Shenasi Loha. Ai më kanë thënë që ka humbur gjurmët që nga muaji mars i këtij viti”, tha Hoxha
Gazetari tha se Loha ka qenë fillimisht në Ekuador ku mund të ketë patur lidhje me trafikantët shqiptarë të kokainës dhe më pas është kthyer në vend përmes Kosovës.
Pas zhdukjes së tij, familjarët kanë shkuar te policia e Lushnjes dhe kanë kërkuar informacion, por ata i kanë thënë se nuk kishin të dhëna por se dyshonin se mund të ishte kthyer sërish në Ekuador.
Sipas Hoxhës, për herë të fundit, Shenasi Loha është parë në një restorant në Lushnje me një person të njohur si autor i një atentati me armë ndaj Edison Begajt në Vlorë.
Hoxha tha se i kishte këto pamje dhe do t’i publikonte më pas, ndërsa hodhi dyshime të forta mbi faktin se Loha mund të ishte zhdukur pikërisht në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kur edhe është fiksuar për herë të fundit në kamera.
“Pasi kanë dalë nga restoranti ata kanë hipur në makinën e marrë me qira nga një person me inicialet M.P dhe kanë lëvizur nga ai restorant. Nga ky moment nuk ka më detaje për vendndodhjen e Shenasi Lohës”, tha Hoxha.