EMRI/ Kush është 57-vjeçari që u vra me kallashnikov, vëllai i ish-anëtarit të “bandës së Fierit”

Mbrëmjen e sotme të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në Fier. Policia bën me dije se është qëlluar me armë 57-vjeçari Demir Backa, i cili ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra.

Backa është qëlluar ndërsa ndodhej në makinë e tij të parkuar.

Burime bëjnë me dije se ai është pronar i një lokali në Fier dhe Sarandë. Gjithashtu mësohet se është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit i cili është vrarë në 1997-ën.

Vëllai i tij  Medi Backa është vrarë pasi kishin vjedhur një bankë në Sarandë 24 vite më parë dhe gjatë kthimit së bashku me 16 persona të tjerë janë vrarë.

Njoftimi i policisë:

Fier/Informacion paraprak

Sot rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Rrethrrotullim i QTU_së”, dyshohet se nga një automjet tip “Benz” është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. B. 57 vjeç, i cili ishte brenda automjetit të tij tip “Audi” dhe si pasojë e plagëve të mara ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit.

Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posacme “Shqiponja” dhe 2 grupe te FNSH  kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit.

Në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se është e autorëve të ngjarjes.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.


Shtuar 23.10.2021 22:05