Një 31-vjeçar humbi jetën në një aksident të rëndë të raportuar pas mesnate në Gjergjan, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, pasi motomjeti me të cilin udhëtonte u përplas me barrierat anësore.
Viktima është identifikuar paraprakisht si Mikail Kastlli, 31-vjeç, banues në Gostima. Për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, ai dyshohet se humbi kontrollin e motomjetit, doli nga rruga dhe goditi barrierat mbrojtëse.
Të lidhura
None found
Nga përplasja e fortë, 31-vjeçari pësoi dëmtime të rënda trupore. Edhe pse ekipet e urgjencës ndërhynë, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Të dhënat paraprake ngrenë dyshime se shpejtësia mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të motomjetit, ndërsa shkaku i saktë do të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.
Sipas informacionit paraprak për ngjarjen, më 04.09.2026, rreth orës 23:30, në aksin “Cërrik-Elbasan”, shtetasi M. K., 31- vjeç, dyshohet se humbi kontrollin e drejtimit dhe motomjeti u përplas me barrierën anësore të rrugës. Si pasojë, ai humbi jetën në vendin e aksidentit.
Në zonë mbërritën shërbimet e Policisë dhe ekipet e emergjencës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për rindërtimin e dinamikës, përcaktimin e shkakut dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Materialet procedurale pritet t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
