EMRAT/ Kush janë 2 të arrestuarit për vrasjen e biznesmenit shqiptar në Itali

Dy bashkëpunëtorë në vrasjen e biznesmenit shqiptar në Itali, Fatmir Ara, janë vënë në pranga nga policia italiane të shtunën e 24 shtatorit, pak ditë pasi autori kryesor i dyshuar për ngjarjen të përfundonte pas hekurave.

Mediat italiane bëjnë me dije se bëhet fjalë për arrestimin e  43-vjeçares Barbara Ghena dhe 29-vjeçarin Andrea Fagnoni  të dy të papunë dhe të padënuar më parë.

Ata u arrestuan nga karabinierët e Venarias, në zonën e Torinos, të dyshuar si bashkëpunëtorë për vrasjen me paramendim të Fatmir Ara, sipërmarrësit shqiptar i icli u gjet i vdekur në San Carlo, Canavese më 3 shtator.

Çifti i të arrestuarve kanë dhënë dëshmitë e tyre të para për orë të tëra para karabinierëve ditën e djeshme.

Davide Osella, i cili kishte pranuar krimin, u arrestua më 6 shtator për vrasjen.

Mediat italiane shkruajnë se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes së rëndë ku mbeti i pajetë shqiptari, baba i dy fëmijëve.

KRIMI

Fatmir Ara, 43-vjeçari shqiptar, i gjetur pasditen e 3 shtatorit pa shenja jetë në fshatin San Carlo, sipas autopsisë u vra me tre plumba, një prej të cilëve në kokë. Ai u ekzekutua me armë gjahu dhe para krimit u dhunua nga autori.

Ara ishte vrarë një ditë para se të gjendej trupi i tij i pajetë.

Ai u zhduk mëngjesin e së premtes pasi u nis për të shkuar në punë dhe nuk u kthye më në shtëpi, ku ndodhej edhe në arrest shtëpiak.

Bashkëjetuesja e tij, me të cilën kishte dy fëmijë, denoncoi zhdukjen e tij mëngjesin e së shtunës.

Trupi i pajetë u gjet pasdite në një fushë në zonën Ronchi-Ceretti. Ai kishte me vete dokumentet dhe kuletën dhe jo shumë larg viktimës u gjet makina e tij.

Fatmir Ara ka pasur disa probleme me sistemin e drejtësisë, është dënuar për armëmbajtje pa leje, ishte denoncuar për keqtrajtim dhe ishte arrestuar në vitin 2020 i akuzuar për drejtimin e një rrjeti droge që, sipas hetuesve, furnizonte sheshin e Ciriès.

Nga e kaluara e tij nisën hetimet e karabinierëve dhe nuk përjashtohet pista që të jetë vrarë për larje hesapesh.