EMRAT/ I morën shuma të mëdha parash një 17-vjeçare duke e kërcënuar, 3 të arrestuar dhe 1 në kërkim në Korçë

Disa të rinjë në Korçë, kanosin një minorene për t’i zhvatur para. Të rinjtë, 3 të arrestuar dhe 1 në kërkim, dhe akuzohen për shtrëngim dhe kanosje për dhënie pasurie kryer në bashkëpunim.

Në pranga kanë rënë Ervis Beqo, Ksandros Pashollari, Xhulajano Depellari, ndërsa në kërkim është shpallur Kristian Ali.

Sipas burimeve kofidenciale këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur me qëllim dhënie pasurie shtetases së mitur F.P me vitlindje (2005) ,të cilës i kanë marrë në kohë të ndryshme gjatë një periudhe 1 mujore, shuma të ndryshme parash në shumën 200.000 lekë dhe 8000 euro.

Në lidhje me këtë ngjarje policia ka sekuestruar shumat prej 100.000 lekësh dhe 6000 euro, një automjet Mercedez Benz dhe 4 aparate celularë të markave të ndryshme.

Njoftimi i policisë:

Korçë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrjetet sociale”.

Operacioni zhvilluar nga Komisariati i Policisë Korçë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, për goditjen e aktivitetit kriminal të kryer kundër lirisë së personit.

Kanosnin një 17-vjeçare nga rrjetet sociale, me qëllim përfitimin e shumave në lekë dhe euro, vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Sekuestrohen 6.000 euro dhe 100.000 lekë, që autorët e dyshuar morën nga e mitura.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë pas një hetimi 1-mujor, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Rrjetet sociale”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer në bashkëpunim, i shtetasve E. B., 20 vjeç, banues në fshatin Neviçisht, Korçë; K. P., 28 vjeç, banues në Korçë; Xh. D., 21 vjeç, banues fshatin Barç, Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi K. A., 19 vjeç, banues në fshatin Goskovë, Korçë.

Nga hetimet e kryera, rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur nga rrjetet sociale, një 17-vjeçare, së cilës i kanë marrë përgjatë 1 muaji në kohë të ndryshme, shuma të ndryshme në lekë dhe euro, në shumën 200.000 lekë dhe 8.000 euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100.000 lekë, 6.000 euro, një automjet tip “Benz” dhe katër aparate celularë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme./albeu.com

 


Shtuar 5.02.2022 10:02