Ekzekutohet në atentat Eno Nikulaj, policia zbardh detajet e ngjarjes që tronditi Lezhën

Policia ka dhënë detaje në lidhje me ekzekutimin e Eno Nikulajt sot në Lezhë. Ai u qëllua disa herë me automatik teksa ishte duke lëvizur me makinën e tij. Dyshohet për dy atentatorë, të cilët e ndoqën me automjet.

Eno Nikulaj mbeti i vrarë nga të shtëna me armë gjatë mbrëmjes së sotme në Lezhë. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ndaj tij është qëlluar disa herë duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Eno është nipi i biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u vra në një atentat mafioz, të denjë për filma, prillin e këtij viti brenda lokalit të tij në Shëngjin.

Policia zbardhi ngjarjen dhe doli në përfundimin se ai u ekzekutua për qëllime gjakmarrjeje.

Ndërkohë në korrik të këtij viti u ekzekutua në Lezhë Nikolin Lekstakaj. Ai nuk para dilte nga shtëpia, por një moment vrasësit e gjetën në derën e një marketi duke blerë diçka dhe e qëlluan me breshëri duke e lënë të vdekur në vend.

Nuk dihet ende nëse vrasja e sotme ka lidhje apo jo me ngjarjet e mëparshme pasi gjithçka sapo ka ndodhur dhe detajet do të dalin në vijim nga policia.

Policia doli në një njoftim për shtyp teksa Nikulaj ishte në spital në gjendje të rëndë, por mësohet se ndërroi jetë pasi policia kishte reaguar.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 21:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në vendin e  quajtur “Ura e trenit”, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi E. N., 40 vjeç, banues në Shëngjin.

Si pasojë është plagosur shtetasi E. N., i cili është transportuar në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore.

Për këtë ngjarje është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore.

Ndërkohë, vijon intensivisht kontrolli i zonës.


Shtuar 2.12.2023 22:16