EKZEKUTIMI NË TARRACË/ “E vranë Besin, e vranë, ndihmojeni, ata po ikin…” Vrasja e Hidës sapo përshëndeti gruan që kaloi nga Latifi

Mes dhjetëra dëshmive të administruara për vrasjen e Besnik Hidës në Lushnjë, njera prej tyre është e dëshmitares L.Çela, e cila ka parë momentin e krimit duke sjellë një tronditje të fortë psikologjike tek ajo.

L. Çela, është dëshmitarja e fundit që ka shkëmbyer përshëndetje me viktimën, i cili pak sekonda më vonë do qëllohej me 16 plumba kallashnikovi, duke e lënë të vdekur në tavolinën ku po pinte kafe.

Në dosjen e siguruar nga “Ora News” rezulton se rëfimi i Çelës është marë 15 ditë me vonesë, pasi gruaja ka pasur tronditje të fortë. Sipas deklarimit në 1 Tetor 2019 rreth orës 08:05 L.Çela ka dalë nga banesa e saj për të shkuar në punë.

“…kam ecur në këmbë përballë Marketit të Fatos Latifit. Kur kam dalë në këtë vend kam parë se në pistën e lokalit të Maksim Sulovari, ishte ulur në një tavolinë i vetëm i ndjeri, Besnik Hida. Sapo kam parë Besnikun i kam ngritur dorën dhe e kam pershendetur. Të njëjtën gjë bëri edhe Besniku, i cili më përshëndeti duke më ngritur dorën. Unë kam vazhduar ecjen për të dalë në rrugë kryesore nga ana jugore. Sapo kam ecuar pak metra kam degjuar një breshëri krismash, të cilat ishin shumë afër. Kur kam kthyer koken dhe kam parë se Besniku kishte varur kokën dhe krahun dhe prej kokës së tij rridhte gjak, i cila i zbriste në mure deri poshtë në trotuar…”, ka treguar dëshmitarja e kësaj ngjarje.

Më tej ajo i ka pohuar policisë se pranë Besnikut, ka parë një person i cili ishte i maskuar me kapuç të zi në kokë, i cili kishte të zbuluar vetëm sytë dhe pjesën e gojës.

“…jam tronditur shumë kur pashë këtë skenë dhe kam bërtitur me forcë “…e vranë Besin, e vranë, e ndimoni, kapini ata po ikin….”. Pranë meje ka ardhur bashkëshorti i motrës Y. S, i cili është perpjekur që të më  qetësoje pasi isha shumë e tronditur…”-ka shpjeguar dëshmitarja.

Në këtë kohë, L.Çela ka treguar në polici se ka parë edhe një automjet si në ngjyrë të bardhë ose gri se ka fiksuar mirë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës për nga lokali i një gruaje me emrin Vjollca dhe më pas se ka parë më.

Në pyetje për vrasjen e Besnik Hidës është marë dhe Y.Z, i cili ka pohuar se mëngjesin e datës 1 Tetor 2019, ishte duke pirë kafe me një shok, tek lokali i Shefqetit, i cili ndodhet perballë me objektin i quajtur “lokali i morrit”.

“…teksa pija kafe, kam parë që aty ka ndaluar një makinë ngjyrë gri, me drejtim për nga “Luna Parku”, nga e cila kanë zbritur dy persona, të veshur me të zeza, me maska në kokë, ku njëri prej tyre u ngjit në katin e dytë te lokali i Maksim Sulovarit. Ndërsa tjetri qëndroi te makina te dera e lokalit. Personi që ka qënë te dera e lokalit ka qëlluar një herë me armë në ajër dhe më pas janë dëgjuar breshëri që vinin nga kati i dytë i lokalit të Maksim Sulovarit dhe më pas personi ka zbritur nga lokali dhe të dy janë futur në makinë e cila ka kaluar te një rrugicë, e cila të nxjerrë në rrugën e qëndrës Sanitare…”, ka treguar dëshmitari Y.Z.

Sipas tij, targat dhe tipin e makinës nuk e ka fiksuar, por të dy personat kanë qënë të veshur me të zeza, të gjatë rreth 180 cm të armatosur me armë të gjata automatik.

Dëshmitari ka pohuar në polici se personi qe gjuajti një herë në ajër i bërtiti një personi që po kalonte në trotuar duke i thënë “…ulu aty…”.

Ndërsa pas kësaj u dëgjuan breshëritë e tjera të zgjatura.

Për këtë vrasje prokuroria e Fierit ka arrestuar Orgest Bilbilin dhe ka shpallur në kërkim dy miqtë e tij, Laert Haxhiun dhe Ardian Ahmetin.

Një ndër provat kryesore që sipas prokurorisë e lidh Orgest Bilbilin me vrasjen e Besnik Hidës, në 1 Tetor 2019 në Lushnjë, është një bllok shënimesh, i sekuestruar në Tiranë, ku ishte shënuar targa e “Benz”-it të viktimës, Besnik Hida.


Shtuar 22.08.2023 11:48