Gazetarja Dorjana Bezat ka zbuluar se ka informacione se ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Jeton Lami, i cili u arrestua disa muaj më parë pasi ishte kapur nga kamerat në shoqërinë e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, ka dhënë dëshmi në lidhje me fatin e të shumëkërkuarit. E ftuar në emisionin “Top Story”, ajo tha se për momentin çështja e Lamit është duke u hetuar në prokurorinë e Lezhës por siaps burimeve të saj do të kalojë në SPAK.
E po ashtu, tha se ka edhe intercektime të personazheve të njohur të botës së krimit që nënkuptojnë vrasjen e Ervis Martinajt, por deri më tani nuk përmendet asnjë emër.
“Nuk mund të themi që kemi të bëjmë me një vrasje. është enigmë. Ka interceptime të bisedave mes personazheve të botës së krimit që nënkuptojnë se është eliminuar dhe është zhdukur. Por nuk përbëjnë provë. Pikë e vlefshme është Jeton Lami që ndodhet pas hekurave. Ka informacione që Lami ka dhënë një dëshmi. Mbështetjen ndaj Martinajt nuk mund ta bënte i vetëm Jeton Lami por ka pasur edhe mbështetje të tjera. Deadline që ai vendosi është i pamjaftueshëm. Çështja e Lamit është në prokurorinë e Lezhës dhe flitet se do të kalojë në SPAK por në dijeninë time nuk ka kaluar ende,”-tha Dorjana Bezat.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.
Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.