Të vëllait i shkrumbuan makinën, kush është Eljon Hysa i vrarë e groposur në Nikël

Mbrëmjen e djeshme në qytetin e Krujës është djegur një automjet, i cili rezulton në pronësi të Eljon Hysës, të riut i gjetur i vrarë e i groposur tre vite më parë në Nikël.

Lidhur me djegien e mjetit, deri më tani policia ka shoqëruar 6 persona teksa janë sekuestruar pamje filmike si dhe janë kryer disa kontrolle banesash.

Eljon Hysa, i njohur ndryshe edhe me emrat Kejsi Hysa dhe Sahit Hysa, u gjet i groposur pranë një përroi në afërsi të varrezave të Niklës në 14 korrik të vitit 2018, pas 9 ditësh që ishte shpallur i zhdukur nga familjarët.

Më herët, Hysa ishte akuzuar për një vrasje në Sarandë në 2015-në dhe i fshihej policisë pasi ishte shpallur në kërkim.  Por vrasja nuk kishte lidhje me krimin në Sarandë, por për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Për vrasjen e Hysës janë arrestuar Hysni Ramaj dhe Agron Tufa.

Hysni Ramaj, 31 vjeç tregoi para gjykatës dinamikën e vrasjes. Ai pranoi autorësinë para trupit gjykues, dhe tha se shkak për vrasjen ishin 8 mijë eurot që dy autorët i kishin borxh viktimës. “E vramë. I kishim 8 mijë euro borxh. Hysa kërkoi lekët, na shau dhe ofendoi.”-mësohet se është shprehur Ramaj para gjykatës.

Hysa ishte njohur në lokal me Hysni Ramën, me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe besim shoqëror, duke i dhënë herë pas here sasi droge për ta mbajtur në ruajtje në banesën e tij.

Për këtë shërbim, Hysni Ramën e paguante 100 deri në 200 euro. Por hera e fundit që i ka dhënë 50 kg drogë për ruajte, nuk ka qenë e suksesshme, pasi sipas pretendimit të Hysni Ramës, sasia e drogës i ishte vjedhur nga persona të paidentifikuar.

Kur është vënë në dijeni të këtij fakti, Hysa, ka filluar presionet shantazhet dhe kërcënimet për vrasje, nëse Rama nuk i jepte 15 mijë euro.

Ata kanë lënë një takim të fundit për t’u sqaruar dhe dhënë një pjesë të parave, dhe Hysni Rama i ka thënë se kishte arritur të grumbullonte vetëm 1 milion lekë të vjetra, Hysa është revoltuar dhe ka bërtitur dhe më pas e ka sharë.

Ata janë përleshut me njeri-tjetrin dhe Hysa, ka nxjerrë pistoletën ja ka vënë në kokë, pasi ka ecur disa metra sipas të ndaluarit është dëgjuar një e shtënë arme dhe Hysa ka rënë në tokë. Hysa është qëlluar nga Agron Tufa, që ishte një mik i përbashkët i Hysës dhe Ramës. Pasi kanë parë që Hysa ka vdekur ata kanë vendosur ta groposin dhe më pas kanë shkuar dhe kanë luajtur bilardo.

 


Shtuar 10.05.2021 11:40