Mëngjesin e kësaj të enjteje, është regjistruar një ngjarje e rëndë, ku sipas informacioneve policore, është gjetur një trup i pajetë i një personi ende të paidentifikuar, nga punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve në kryqëzimin e rrugës, ku ndahen aksi i Rrugës së Kombit me segmentin drejt Lezhës.
Ata kanë konstatuar viktimën gjatë punës rutinë që kryejnë në këtë aks, e menjëherë kanë lajmëruar policinë.
Trupi i pajetë është gjetur pranë trafikndarësve, dhe menjëherë është njoftuar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet.
Dyshimet e para janë se viktima mund të ketë humbur jetën si pasojë e përplasjes nga automjetet, por gjithsesi pritet kryerja e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së tij.