Carlo Ancelotti, trajneri i Brazilit, ka përgëzuar shpirtin luftarak të ekipit të tij pas suksesit dramatik ndaj Japonisë në Kupën e Botës 2026, duke nënvizuar se skuadra qëndroi e qetë dhe nuk hoqi dorë deri në fund.
Të lidhura
None found
Pas ndeshjes, Ancelotti deklaroi: “Nuk e humbëm durimin. Kishim shumë opsione në fushë dhe në stol. Japonia nuk është kundërshtar i lehtë, është një skuadër shumë e organizuar dhe me intensitet të lartë”.
Brazili e përmbysi rezultatin në minutat përmbyllëse dhe kështu siguroi kalimin në çerekfinale, ndërsa tekniku italian vuri në dukje se zgjedhjet taktike patën rol të rëndësishëm në ecurinë e sfidës.
Ai u ndal edhe te situata e Neymarit, duke bërë të ditur se sulmuesi ishte menduar të aktivizohej vetëm nëse përballja do të shkonte në vazhdime.
“Po e ruaja Neymarin për kohën shtesë. Ai do të hynte në fushë në minutën e 105-të nëse nuk do të kishim shënuar golin e dytë. Nuk doja ta ndryshoja strukturën e skuadrës, sepse po luanim mirë”, tha Ancelotti.
Me këtë fitore, Brazili vijon aventurën në turne, ndërsa Japonia eliminohet pas një performance të fortë dhe të disiplinuar përballë njërit prej pretendentëve kryesorë të Botërorit.

