E-maili që zbuloi prapaskenat, Elon Musk bisedoi me Putin para propozimit të planit me 4 pika për t’i dhënë fund luftës

Shefi i Tesla-s, Elon Musk ka zhvilluar një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin përpara postimit të tij famëkeq në Twitter, në të cilin ai propozoi një plan me katër pika për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Zbulimi u bë nga Ian Bremer i Eurasia Group në një e-mail drejtuar abonentëve të grupit.

Menjëherë pas publikimit të informacionit, Elon Musk mohoi se ai kishte folur me Putinin përpara se të postonte propozimin në Twitter. “Kam folur me Putinin vetëm një herë dhe kjo ishte 18 muaj më parë. Ne folëm për Hapësirën”. Sipas Bremer, Putin tha se ishte “i gatshëm për të negociuar”, por vendosi kushte të qarta dhe të pacenueshme: Krimea do të mbetej ruse, Ukraina do të duhej të pranonte një gjendje neutraliteti të përhershëm dhe të pranonte aneksimin e Luhanskut, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia.

Kushtet do të duhej të zbatoheshin në çdo rast, me Putinin madje duke ngritur çështjen e përdorimit të armëve bërthamore nëse Ukraina pushton Krimenë. Megjithatë, presidenti i Rusisë thuhet se i ka kërkuar bashkëbiseduesit të tij “të bëjë gjithçka për të shmangur mundësinë”.

Emaili i Bremer përmbante gjithashtu informacione në lidhje me shqetësimet e Musk për kërcënimet e drejtpërdrejta të Putinit. Ai thuhet se Putin “ka folur për aftësitë e Rusisë për luftë kibernetike dhe mundësinë e ndërprerjes së funksionimit të satelitëve të mi”.

 

 

Pas diskutimit, Musk postoi në Twitter më 3 tetor planin me katër pika për ukrainasit, i cili tani duket se ka qenë pak a shumë plani i Putinit. Musk bëri thirrje për zgjedhje në rajonet e aneksuara nën kujdesin e OKB-së, aneksimin e Krimesë në Rusi “siç ka qenë që nga viti 1783”, sigurimin e ujit të pijshëm për Krimenë dhe neutralitetin e Ukrainës. Në “sondazhin” e Musk 2.7 milionë njerëz votuan me “jo”, rreth 59.1%. Ndërkohë në një postim në Twitter pak më vonë, ai foli për mundësinë e një lufte bërthamore, megjithëse ai e konsideroi këtë një pasojë të pamundur të konfliktit ruso-ukrainas.

Musk është përfshirë në mënyrë indirekte në luftën në Ukrainë që në javët e para. Ai madje urdhëroi aktivizimin e rrjetit satelitor Starlink edhe në Ukrainë, duke u dhënë forcave të mbrojtjes akses në një rrjet satelitor të shpejtë.

Plani i shefit të Teslës nuk kënaqi asnjërën palë. Mykhailo Podoliak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, iu përgjigj një sondazhi të tij në Twitter. Podoliak sugjeron që Ukraina do të çlirojë territoret e saj “dhe Krimenë e aneksuar” dhe së dyti “Rusia do të çmilitarizohet dhe denuklearizohet detyrimisht në mënyrë që të mos kërcënojë të tjerët. Së treti, kriminelët e luftës do të kalojnë përmes një gjykatë ndërkombëtare”. Pak më vonë, përgjigja erdhi nga vetë presidenti Zelensky, me një tjetër sondazh në Twitter. “Cilin Elon Musk preferoni, atë që mbështet Rusinë apo atë që mbështet Ukrainën?”


Shtuar 11.10.2022 20:15