Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, përmes një prononcimi për media të dhënë nga Shkodra, njoftoi disa nga rekomandimet e marra gjatë diskutimeve të Komitetit Teknik fundjavën e shkuar.
Manastirliu zbuloi se Komiteti ka rekomanduar bërjen e dozës së tretë të vaksinave, uljen e fashës së vaksinimit në grup-moshën plus 16-vjeç dhe vaksinimin e fëmijëve mbi 12-vjeç, nëse ata shfaqin problematika shëndetësore.
“Do të ndalesha në këtë komunikim pikërisht për këtë fushatë vaksinimi. Tashmë nuk është vetëm një fushatë, por është një program i mirëfilltë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Aktualisht në Shqipëri kanë mbërritur mbi 2 milionë e 300 mijë doza vaksinash. Siç ju e keni parë, ne po vijojmë në të gjithë vendin në të gjithë rrjetin kapilar të qendrave.
Duhet të kuptojmë që vaksinimi është një sfidë mbarëglobale ashtu edhe për Shqipërinë. Është mbledhur Komiteti Teknik i Ekspertëve, gjatë fundjavës së kaluar, të cilët kanë diskutuar dhe rekomanduar vendosjen në protokoll të dozës së tretë, uljen e fashës së grup-moshës në plus 16-vjeç, si dhe kanë rekomanduar vaksinimin e fëmijëve plus 12-vjeç, por vetëm për ata fëmijë të cilat kanë problematike shëndetësore.
Këto rekomandime do të diskutohen ditën e nesërme në mbledhjen e Komiteti i Ekspertëve dhe do të kemi një njoftim edhe për vendimet që do të marrë ky komunitet.
Vaksinimi është e vetmja armë që ne kemi për tu mbrojtur nga Covid-19. Ashtu siç raportohet nga spitali Infektiv, rastet të cilat janë të pavaksinuara janë mbi 95%. Janë ato raste që ose e kanë neglizhuar vaksinimin, ose raste që e kanë lënë për një moment të dytë, ose kanë dëgjuar ata që nuk janë ekspertë dhe mbushin mendjet e njerëzve me të pavërteta. Ne sot kemi një mesatare rreth 6 mijë vaksinime në ditë, por kemi kapacitete për të kryer vaksinim disa herë më shumë”, tha Manastirliu.