Dyfishohen çmimet e apartamenteve në Durrës

Më pak kërkesa për blerje apartamentesh, por më të larta vlerat e transakisoneve. Në këtë mënyrë mund të përkufizohet situata aktuale e tregut imobiliar në zonën e Durrësit.

Agjentët e shitjeve, tregojnë arsyet e kësaj situate që ka çuar deri në çmime të paimagjinueshme për një metër katror ndërtim.

“Kërkesa ka, por jemi 5-10% më ulët sesa viti i kaluar”, thotë për A2 CNN Florian Tahiri, agjent imobiliar. “Normalisht ka ndikuar rritja e çmimeve dhe vonesa e rivlerësimit. Zonat me kërkesën më të lartë vazhdojnë të jenë zona e Vollgës dhe ajo e plazhit. Janë rritur sidomos çmimet e apartamenteve që kanë pamje ballore me detit, kanë shkuar edhe 2000 euro metri katror”.

Por cilët janë ata që janë të interesuar më së shumti për të blerë pronat në Durrës dhe veçanërisht pranë vijës bregdetare? “Të parët kemi emigrantët shqiptarë, të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Diasporës”, thotë Tahiri për A2 CNN.

“Ndërsa nga të huajt kemi klientë italianë, polakë, çekë dhe që mbas luftës kanë filluar rusët e ukrainasit”.

Që pas vitit 2020, kur tregu imobiliar në Durrës, pësoi një goditje të rëndë për shkak edhe të tërmetit tragjik të nëntorit të viti 2019, kërkesa dhe vlera e apartamenteve ka ardhur vit pas viti me rritje të konsiderueshme, deri në dyfishim të çmimeve për metër katror.


Shtuar 17.09.2024 15:50