Ditën e djeshme, gjykata liroi 50-vjeçarin Fatmir Tarellarin, i cili ekzekutoi kunatin e tij, pas dyshimeve se i përdhunonte prej vitesh vajzën.
Kjo ngjarje e rëndë tronditi Greqinë dhe Shqipërinë.
Në një intervistë, kushëriri i tij, Astriti, tregoi se si e priti familja Tarellari vendimin e gjykatës për lirimin e 50-vjeçarit.
Ai tha se nuk mund të ketë gëzim, për faktin e përmasave që ka ngjarja, në shenjë edhe respekti për familjen Pelivani.
Gjithashtu, ai u shpreh se Fatmiri është i dërrmuar, pasi prej vitesh vajza e tij është abuzuar, ndërsa theksoi se kushëriri i tij nuk donte kurrsesi që të vriste kunatin, Erjon Pelivanin.
“Kam komunikuar. Duke kaluar një periudhë mjaft të vështirë, kjo nuk është situatë e kënaqshme për të. Situata për ne është e vështirë, për të respektuar dhe palën tjetër, pasi nuk ka gëzim as për ne. Kam komunikuar me Fatmirin dhe motrat e tij. Gjendja e tyre nuk është e kënaqshme, ndjejnë shqetësimin e vuajtjeve. Fatmiri është vrarë në mënyrë të vazhdueshme. Atij i kanë ‘helmuar’ fëmijën dhe gjendja kur ka bërë vrasjen ka qenë emocionale, dhe e padëshiruar. Nuk mund të shprehemi se është i kënaqur apo jo, pasi ka vuajtje në familje. Përderisa ka vuajtje në familje, nuk mund të ketë qetësi. Situata nuk është e qetë. Vajza po merret në mbikëqyrje nga psikologu. Fatmiri nuk ka dashur që ta vrasë kunatin, por ishte gjendja e tillë. Unë e njoh psikologjinë e Fatmirit, ai nuk është vrasës. Ai i ka marrë para, por se sa herë, këtë nuk e dimë ne”, tha ai.