Dy deputetë në Kuvendin e Spanjës bëjnë thirrje për njohjen e Kosovës

Dy deputetë të Dhomës së Ulët në Kongresin e Deputetëve në Spanjë i kanë bërë thirrje kryeministrit Pedro Sanchez që ta njohë Kosovën.

Në mbledhjen e së mërkurës, deputeti Aitor Esteban ka thënë se Spanja s’duhet të frikësohet as nga ndarjet e saj sepse “ajo që duhet të ndodhë, do të ndodhë”, duke iu referuar kërkesave të vazhdueshme për pavarësi të Katalonjës dhe Baskisë.

“Sa i përket Kosovës, njiheni sepse veç ka pasur ndeshje futbolli tashmë”, ka thënë ai në Kuvend.

Po ashtu Esteban ka akuzuar Serbinë se nuk e ka mbajtur fjalën për ndjekjen e krimeve të luftës.

Ndërkaq deputetja Mertxe Aizpurua, ka folur për të njëjtën çështje duke ia cilësuar si “të shëmtuar” fjalimin Sanchezit “se i ka përmendur të gjitha shtetet e Ballkanit, përveç Kosovës”.

“Është koha për ta njohur sovranitetin dhe legjitimitetin e Kosovës si shtet i plotë. Sepse është shtet i dalë nga dëshira e popullit. Nuk duhet t’ia kthejmë shpinën demokracisë apo vendimit të publikut, as për Ballkan, as për këtë shtet”, ka thënë Aizpurua.

Kosova e Spanja në futboll janë përballë në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”, në ballafaqim që është përcjellë me shumë polemika pasi që Spanja, duke refuzuar ta njohë Kosovën, ka refuzuar edhe përmendjen e termit shtet duke e quajtur territor, e madje edhe në transmetim duke iu referuar Përfaqësueses si e Federatës e jo e Kosovës. Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ka refuzuar ta njohë Kosovën.

Aitor Esteban është deputet që nga viti 2004. Ai është deputet i Partisë Nacionaliste Baske, ndërkaq Aizpurua është pjesë e një koalicioni të partive baske./koha.net


Shtuar 10.11.2021 13:01