Ish-mjeku i kombëtares, ortopedi Mel Ostreni ka folur për vdekjen e futbollistit të Egnatias, Rafael Dwamena, i cili ndërroi jetë pas një kolapsi në fushën e lojës.
Ai vuri në dukje se në Shqipëri nuk mungon legjislacioni për lojtarët që kryejnë ndërhyrje të tilla kirurgjikale, ndërsa sporti përfshihet tek punët e rënda me aktivitet të fortë fizik për organet.
Mjeku vuri në dukje se duhen shtuar kontrollet për raste të tilla, veçanërisht për futbollistët e huaj.
“Ky djalë fatkeq ka luajtur në një sërë klubesh në Evropë. Ajo që mund të them është se mbas incidenteve të tilla, klubet njëri pas tjetrit e kanë larguar. Ai ka vazhduar të endet në Evropë dhe lind pyetja si ka mundësi?! Disa shtete e kanë të ligjëruar që në qoftë se ndërhyrja kirurgjikale duke vendosur aparat në zemër dhe sportistët mund të luajnë. E di fare mirë që italianët dhe spanjollët e ndalojnë aktivitetin sportiv tek sportistët që kanë të tilla diagnoza. Procedimi është se ka disa shtete si Anglia, Danimarka e lejojnë.
Mbase mjekut të Egnatias i ka shpëtuar një fakt ose futbollisti e ka mbajtur të fshehur që defribilatoi ishte hequr. Nuk dihet nëse e ka hequr këtu apo në Evropë. Ne e kemi draftin ligjor që futbolli konsiderohet punë e rëndë fizike dhe të gjitha organet i ka nën presion fizik dhe nuk lejohet në legjislacionin tonë dhe vdekjet në të tilla diganoza janë shumë të rralla.
Nuk mund të thuash që ka mungesë legjislacioni, por kontrollet duhet të jenë të mirëfillta. Pastaj kontrollet mund të jenë të shtuara veçanërisht për futbollistë të huaj. Sjellim si shembull Ronaldon kur kaloi nga Reali te Juventusi, u fut në klinikë në 10 të mëngjesit dhe doli në orën 5 pasdite dhe këtu pagesat janë shumë të mëdha. Besoj se duhen bërë disa ndryshime. Ligji është pasi i detyron të gjitha klubet të bëjnë kontrollin mjekësor nga të gjithë futbollistët. Derisa ndodh edhe me Eriksen që vjen nga Danimarka do të thotë që edhe mjekësia më e përparuar, ja që një lojtar i tyre për pak rrezikoi jetën”, tha ai.