“Dracron”, Pol i ri politik Francë-Itali në BE?

Gjermania dhe Franca deri më tani konsideroheshin si motori i BE. A po krijohet një kundërpeshë në BE me duetin e ri harmonik Macron-Draghi dhe si e shikfraon këtë Gjermania?

Në javët e fundit presidenti francez dhe kryeministri italian kanë demonstruar unitet të madh në çëshjet politike europiane, duke u përpjekur të jetësojnë marrëveshjen “Qurinals” të nënshkruar mes Italisë dhe Francës në nëntor 2021 në Romë. Kjo marrëveshje krahasohet shpesh me “Marrvëveshjen e Elysee” ose me atë të Aachenit, që i kanë bërë kaq të aftërta marrëdhëniet gjermano-franceze. Gjermania dhe Franca gjithmonë së bashku janë konsideruar si motor i BE, edhe kur nuk vinin në jetë ndonjë projekt të jashtëzakonshëm.

Kryeministri italian, Mario Draghi, që qeveris me një qeveri teknokratike të një koalicioni gjithëpartiak kërkon ta kthejë Italinë në qendër të skenës europiane. Marrëdhëniet me vendin fqinj, Francën që në vitet e fundit pësuan disa krisje, duhet të përmirësohen dhe të forcohen. Disa media në Itali e Francë madje i japin madje epitetin “Dracron” duetit Macron dhe Draghi. Një kujtesë e fjalëformimit “Merkozy” në kohën kur shihej mjaft i fortë dueti politik Merkel dhe Nicolas Sarkozy.

Roma dhe Parisi në harmoni

Bie në sy, se si Emmanuel Macron dhe Mario Draghi, të dy bankierë i sinkronizojnë qëndrimet e tyre që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Macron propozoi në maj “një bashkësi politike europiane”, në të cilin do të bashkoheshin vendet kandidate të BE nga Ballkani, përfshirë edhe Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Këtë anëtarësi të klasit të dytë Italia e mbështeti menjëherë.

Ministri italian për Europën, Vincenzo Amendola, tha në Parlamentin Europian, se propozimet franceze çojnë aty që bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe atë të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes do të bëjë hapa të rëndësishëm përpara. Italia e mbështet qartë Macron.

“Përmes unitetit në këtë moment historik mund të mbrohemi nga rreziku i një lufte”, tha Amendola. Italia dhe Franca kanë të njëjtin qëndrim edhe në lidhje me ndryshimin e marrëveshjeve europiane, që të mundësohen në BE vendimet me shumicë në politikën e jashtme dhe çështje të tjera të rëndësishme. Kryeministri italian, Draghi flet për një “federalizëm pragmatik”. Në fund të kësaj udhe qëndrojnë ndryshime marrëveshjesh. Do të ecim përpara me “guxim dhe mirëbesim”, thekson Draghi.

Berlini vëzhgon

Nga Berlini, gjysma tjetër e motorit europian nuk dëgjohen sinjale të tilla kaq të qarta. Në lidhje me iniciativën francezo-italiane thuhet, se ndryshimet në marrëveshje janë shumë të vështira. Kancelari, Olaf Scholz i quajti propozimet e Macron “interesante”, por nuk erdhi një miratim i plotë, si nga Roma. Scholz ia kujtoi Macron në konferencën e përbashkët për shtyp në fillim të majit, se vendeve të Ballkanit Perëndimor i janë bërë premtime të qarta. Por Macron ashtu si edhe Draghi e shikojnë me skepticizëm anëtarësinë e plotë të këtyre vendeve. Gazeta italiane “Corriere della Sera” në një koment të saj kritikoi në fjalimin e kancelarit në Forumin Ekonomik në Davos, se atij i mungojnë vizionet europiane. Ai heshti për propozimet e Macronit dhe Draghit.

Politikë e njësuar për Ukrainën

Në lidhje me politikën kundër agresorit rus, si presidenti francez, ashtu edhe kryeministri italian dhe kancelari gjerman janë në një masë të madhe unikë. Ata duan të arrijnë fundin e luftës me negociim. Mario Draghi madje ka paraqitur një plan paqeje në bashkëpunim me OKB, që parashikon një kompromis mes Rusisë dhe Ukrainës. Kurse Macron shkaktoi reagime me deklaratën e tij, se nuk duhet të poshtërojmë pushtetmbajtësin, Putin. Olaf Scholz është mjaft i kujdesshëm në përzgjedhjen e fjalëve, dhe nuk përmend që Rusia duhet të mundet. Këto qëndrime i kanë sjellë si Macronit dhe Scholzit kritika të ashpra nga presidenti polak, Andrzej Duda, që i dënoi telefonatat e politikanëve të BE me Putin. “A ka folur dikush në Luftën e Dytë Botërore me Hitlerin? A tha dikush që Hitleri duhet të ruajë fytyrën?” Të gjithë e dinin që ai duhej mundur, tha Duda.

Jo ngushtim rripi për financat

Macron dhe Draghi janë të një mendimi, kur vjen fjala për paratë, Që para luftës në Ukrainë në dhjetor 2021, ata hodhën idenë në “Financial Times” që të financohen buxhetet shtetërore përmes marrjes të borxheve më të larta. Kështu do të investohej edhe tek mbrojtja e klimës dhe mbrojtja. Së fundmi Italia dhe Franca, të dyja vende ku duhet të binte alarmi për borxhet e thella, duan të fusin një çmim kufi për energjinë në BE. Pasojat e inflacionit duhet të zbuten përmes më shumë borxheve dhe një pakti stabiliteit të ndryshuar. Qeveria në Berlin e refuzon këtë kurs të “Dracron”. Borxhe të tjera, për të cilat Gjermania do të ishte bashkëgarantuese dhe një politikë e parasë së lirë në eurozonë nuk kanë për t’u bërë realitet me ministrin gjerman të Financave.

“Gjermania fundamentale për Francën”

A do të bëhet tandemi italiano-francez më i rëndësishëm se ai gjermano-francez në BE? Po krijohen dy pole pushteti në BE? Historiani francez dhe njohësi i Italisë, Marc Lazar nuk e beson këtë. Në një intervistë me gazetën franceze “Les Echos” ai tha se për Francën marrëdhënia me Gjermaninë do të bëhet gjithnjë e më fundamentale dhe e rëndësishme se me të tjerët. Por duket se martesa gjermano-franceze është disi e lodhur, dhe prandaj nuk ka çudi, që Macron i hedh sytë tek partnerë të tjerë në Itali. “Diplomatët gjermanë shikojnë në radhë të parë gjithmonë nga Gjermania”, thotë Marc Lazat, profesor në Universietin e elitës, Po. “Italia ëndërron për një marrëdhënie trekëndësh, Paris-Berlin-Romë, sepse vuan për shkaqe të shumta historike nga një lloj kompleksi inferioriteti përballë lidhjes gjermano-franceze.”

Në samitin e BE në fund të Qershorit, Emmanuel Macron dhe Mario Draghi do të kërkojnë së bashku impulse për reforma në BE, për këtë është rënë dakord që këtë javë. Edhe Olaf Scholz teston në marrëdhënien me Romën. Me Mario Darghin ai nënshkroi në fillim të prillit një marrëveshje për më shumë bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe armatimit. Vetë Draghi nuk ka shumë kohë për planet e tij për Europën. Në zgjedhjet e ardhshme në pranverë 2023 ai nuk ka shumë gjasa të dalë si kryeminisër. Ashtu si edhe Macron prapa tij janë gati populistët, që mund të bëhen forca më e fuqishme elektorale. Në këtë rast letrat do të përziheshin sërish./DW